Kancerit të gjirit nuk i shpëtojnë as burrat në Durrës! Shifrat nga OBSH-ja në mbarë globin

31/10/2019 - 12:30

Nga Stela Likmeta

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë te gratë, duke prekur 2.1 milionë gra çdo vit në mbarë botën, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (kliko këtu).

Kanceri i gjirit shkakton numrin më të madh të vdekjeve të lidhura me kancerin te gratë. Në vitin 2018, u vlerësua se 626 679 gra vdiqën nga kanceri i gjirit – kjo është afërsisht 6.6 % e të gjitha vdekjeve nga kanceri te gratë. Numri i rasteve me kancer gjiri është më i lartë te gratë në vendet më të zhvilluara, por ky numër po rritet pothuajse në çdo rajon globalisht.

Edhe në vendin tonë, kanceri i gjirit është tumori që prek më shpesh gratë, me 708 raste të reja vetëm në vitin 2018.

Ndërsa në Durrës, në harkun kohor të vitit të fundit, prej kohës kur në spital u krijua njësia e Senologjisë, janë evidentuar 25 raste të reja me kancer gjiri, të cilat kanë kryer operacione.

Nga të dhënat zyrtare të Spitalit Rajonal të Durrësit, mësohet se më të prekurat nga kjo sëmundje, janë femrat nga mosha 40 deri në 65 vjeç, por në spital janë paraqitur edhe raste me moshë më të reja, deri në 32 vjeçe apo moshë më të madhe, 77 vjeçe.

Gjithashtu janë operuar edhe 40 raste të tjera me sëmundje të mira, beninje të gjirit, të cilat janë pa ndonjë problem të veçantë dhe janë në ndjekje të ekipit të repartit të Senologjisë, ndërsa 5 raste të dyshuara janë zbuluar gjatë muajit tetor 2019.

Në Durrës shënohen 60 raste të reja çdo vit, ndërsa vërehet se 1 % e rasteve me kancer gjiri haset edhe te burrat. Në ambulatorin e spitalit të Durrësit janë të identifikuara dhe të kartelizuara 400 gra me kancer gjiri, dhe 3 burra që vuajnë nga i njëjti lloj kanceri.

Tetori i është dedikuar ndërgjegjësimit për kontrollin e hershëm dhe kapjen në kohë të këtij kanceri dhe gjatë këtij muaji rritet ndjeshëm edhe numri i grave që paraqiten te mjeku për mamografi. Sipas të dhënave, janë kryer 44084 depistime në periudhën janar-shtator. Gjatë tetorit 2019 janë bërë rreth 700 mamografi e kontrolle në spitalin e Durrësit, një shifër tejet e lartë krahasuar me vitin e shkuar.

Ndërsa gjatë 10-mujorit të këtij viti (janar-tetor), kanë kryer kontrollin mjekësor bazë 50 mijë banorë, nga të cilët 10 % e tyre, (5 mijë persona) kanë shkuar te mjeku specialist. Ky përbën një fakt të rëndësishëm sipas mjekëve, pasi nëpërmjet këtyre kontrolleve ne mund të bëjmë parandalimin e sëmundjeve që agravojnë.

 Por çfarë është ky lloj kanceri?

Kanceri i gjirit është një tumor që zhvillohet nga qelizat e vetë gjirit. Është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Pa mjekim, këto qeliza përhapen në pjesët fqinje, e më pas, në të gjithë trupin.

Njihuni me rrezikun
Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse ai ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Dimë se disa faktorë duken se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri.

Disa nga faktorët e rrezikut përfshijnë moshën, ndryshimet në disa gjene, fillimin e hershëm të menstruacioneve, menopauza pas moshës 50-55 vjeç, shtatzënitë në moshë të madhe, moslindja e fëmijëve, historitë personale dhe familjare me kancer gjiri, perdorimi i mjekimit me hormone për një kohë të gjatë, apo trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, mungesa e aktivitetit fizik, të qenit mbipeshë apo obeze pas menopauzës, pirja e duhanit apo alkoolit.

FAKTE DHE SHIFRA TË SHPEJTA RRETH KANCERIT

Sipas të dhënave që "DurrësLajm" ka përpunuar nga OBSH, për rastet e kancerit në botë dhe vdekshmërisë së tyre për vitin 2018, siç mund ta shihni dhe në tabelën më poshtë, në total ka 2 088 849 raste, nga të cilat kanë ndërruar jetë 626 679 gra.

Sipas hartës së shpërndarjes, vihet re se pjesa më e madhe e femrave të prekura janë nga Azia, me 43.6 % të rasteve globale. Ndërsa pjesa më e ulët i përket femrave nga Oqeania me 1.2 % të rasteve. Pas Azisë renditet Europa me 25 % të rasteve globale, e më pas Amerika e Veriut me 12.6 %, Amerika Latine dhe Karaibet me 9.6 % dhe Afrika me 8.1%.

Edhe numri i vdekjeve është respektivisht sipas klasifikimit të vendeve të prekura, duke ruajtur të njëjtat pozicione, me përjashtim të Afrikës që shkon në vendin e tretë duke i lënë vendin e saj - Amerikës së Veriut.

Përhapja e kancerit 5 vitet e fundit

Ndërsa gjatë 5-vjeçarit të fundit, numri total i të prekurve në mbarë botën ka qenë 6 875 099, ku kryeson sërish Azia me 38.2 % e pas saj Europa me 29.9 % dhe Amerika e Veriut me 16 %.

Shkalla e moshës së të prekurave me kancer gjiri në mbarë botën (Shtrirja: mosha më e lartë, rastet më të shumta)

  • 72.9 vjeçe
  • 56.7–72.9 vjeçe
  • 43.6–56.7 vjeçe
  • 34.0–43.6 vjeçe
  • 24.8–34.0 vjeçe
  • 24.8 vjeçe
     

Zona                                                 Rastet e prekura                   Vdekjet

Evropa Qendrore dhe Lindore             149 024                              49 951
Europa Perëndimore                            169 640                              41 629
Europa Jugore                                      119 577                              28 064   
Europa veriore                                      84 272                               18 063

KËSHILLA

Si mund të zbulohet kanceri i gjirit

Nese ju jeni grua me risk të lartë për Kancer Gjiri, ju mund të keni mundësi të kryeni:

• Teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomadimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik ;
• Disa trajtime parandaluese si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike.

Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.

1. Mamografia
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo  mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.

2. Ekzaminimi klinik i gjirit
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.

Lloji dhe shpeshtesia e testeve depistuese ne mosha te ndryshme

Nëse ju jeni: 40-49 vjeç

Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun tuaj rreth rrezikut tuaj të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.

Nëse ju jeni: 50-69 vjeç                     
Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjeksor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Mamografi çdo 2 vjet.

Nëse ju jeni: Mbi 70 vjeç                   
Ju duhet: Të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri.

Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.

Çfarë duhet të kuptojmë me dijeninë për gjinjtë?
Një pjesë e rëndësishme e kujdesit për  trupin tuaj është njohja e gjinjve tuaj dhe mënyra se si ata ndryshojnë gjatë gjithë jetës.

Gjinjtë duhe kontrolluar vazhdimisht

Kontrollo, Prek dhe Shiko të gjitha pjesët e gjirit, afër gjirit dhe nën sqetullave.

Njihni indet e gjirit tuaj dukë i parë dhe ndjerë gjinjtë tuaj. Njihni gjinjtë tuaj dhe çfarë është normale për ju, sipas asaj që funksionon më mirë për ju. Gjeni mënyrën që të mësoheni me gjinjtë, dhe të zgjidhni mënyrën më të rehatshme për ju.

Është normale që gjinjtë tuaj t’i ndieni të fortë dhe të dhimbshëm para menstruacioneve. Indet e gjirit ndryshojnë edhe me moshën. Prandaj, për të kuptuar se çfarë është nomale për ju, do t`ju ndihmojë të njihni dhe të dini se çfarë t’i raportoni mjekut.

Shumë kokrra që mund të prekni nuk janë kancer gjiri.

Prandaj, flisni dhe tregojini mjekut nëse vëreni në gjinjtë tuaj ndonjë ndryshim si:

• Gjëndër apo kokërr në gji ose nën sqetull;
• Ndryshim në formë ose në madhësi të gjirit;
• Ndryshim në lëkurën e gjinjve tuaj. si gropëza ose tërheqje;
• Skuqje, enjtje në gjinjtë, përreth tyre apo nën sqetull;
• Futje brenda të thumbit së gjirit;
• Rrjedhje lëngu nga thitha e gjirit;
• Kore ose luspa në thithën e gjirit;
• Puçrra të imta në majë të gjirit apo përreth tij;
• Dhimbje e vazhdueshme në një pjesë të gjirit tuaj, apo nën sqetull.

Zvogëloni rrezikun tuaj

Ju nuk mund të ndryshoni shumicën e faktorëve të rrezikut për kancerin e gjirit, si sëmundjet tuaja familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por ajo çka ju mund të bëni lehtësisht, është ndryshimi i disa faktorëve, si pesha juaj apo dieta e asaj çfarë konsumoni.

Për zvogëlimin e rrezikut tuaj…

• Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
• Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
• Konsumoni ushqime me yndyrna të pakta;
• Konsumoni perime dhe fruta;
• Mos konsumoni alkool;
• Konsultohuni me mjekun për përdorimim e kontraceptivëve ;
• Mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive;
• Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
• Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj;

*Pyesni mjekun tuaj për ekzaminimet e gjirit që ofrohen në qytetin ku ju banoni. Konsultohuni me mjekun e qendrës suaj shëndetësore për çdo informacion që ju kërkoni të dini. Ky informacioni mund t`ju ndihmojë ju të kuptoni më shumë rreth kancerit të gjirit dhe se çfarë mund të bëni ju për të zvogëluar rrezikun tuaj për këtë sëmundje. Ndajeni informacionin me vajza dhe gra të tjera.

*Burime: Organizata Botërore e Shëndetësisë; Ministria e Shëndetësisë; Spitali Rajonal Durrës.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Babai i Alvin Berishës, Afrimi ka treguar detaje nga momentet e para që ka takuar me djalin e tij.

31 dhjetori 2019 është afati i fundit kur do të lejohet regjistrimi, për herë të parë, i autoveturave të përdorura (me km) që kanë hyrë n

Aksidenti i rëndë që ka ndodhur në 21 Gusht të vitit të kaluar në aksin Levan-Fier ka përfshirë 3 automjete.

Dëshira e vogëlushit shqiptar, Alvin Berisha është bërë realitet sapo ka mbërritur pranë familjes!

Pas një përmirësimi gjatë vitit 2017, deficiti i skemës së pensioneve iu kthye përkeqësimit në vitin 2018.

Pas Fierit, edhe në Durrës një pronë e sekuestruar e personave me precedentë penalë do të përdoret për qëllime sociale.

Në botën e sotme, gjuha angleze demonstron një efekt të fortë të rrjetit: sa më shumë njerëz ta përdorin atë, aq më i dobishëm bëhet.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit në bashkëpunim me nxënësit dhe mësuesit e shkollës artistike “Jan Kukuzeli” si edhe nxënësit e kursit “Stu

Rikthehet historia e pazakontë e një 66-vjeçari nga Durrësi. Gruaja e divorcoi, por ai hodhi akuza të rënda ndaj saj.

Forumi i katërt i ministrave të shëndetësisë të Evropës Qendrore e Lindore dhe Kinës ka zhvilluar punimet sot në Sofie të Bullgarisë, në