Ka qenë një festë ndryshe kjo e një qershorit në Institutin e të Miturve në Kavajë. Prindërit janë takuar e kanë kaluar kohë pas më shumë se 12 muajsh me fëmijët e tyre që vuajnë dënimin për vepra të ndryshme penale.

Ka patur lot e përqafime të gjata midis prindërve dhe fëmijëve të tyre në takim, për shkak se Drejtoria e Burgjeve kishte pezulluar çdo takim me të afërmit si rezultat i pandemisë.

Ministria e Drejtësisë organizoi një aktivitet kulturor e artistik, ku vetë fëmijët që vuajnë dënimin në këtë institucion, apo janë në hetim e sipër, kanë shpalosur talentin  e tyre në poezi, pikturë e recitim.

Të miturit nga mosha 14 deri në 18 vjeç janë dënuar për krime të ndryshme, duke nisur nga vjedhjet, grabitjet me armë, krimet seksuale etj..

Dhurata Hysenllari, nëna e një 15-vjeçari, i dënuar si bashkëpunëtor i rojes së shkollës, në Babrru (Abaz Dokut) për përdhunimin e një 15-vjeçareje në Tiranë, thotë se nga minorenët e arrestuar vetëm djali i saj u dënua me 3.5 vjet burg.

Hysenllari tha se djali i saj i mitur është duke vuajtur dënimin ndërsa një tjetër djalë u lirua vetëm dy muaj pas arrestimit.

Në Kavajë gjendet edhe minoreni i cili u arrestua për grabitjen e argjendarisë në Vlorë.  17-vjeçari është në proces hetimi. Nëna e tij e revoltuar thotë se kishte një muaj që kishte bërë denoncim për të gjetur djalin, por policia nuk kishte vepruar, derisa djali i saj u kap i armatosur pas grabitjes së argjendarisë.

Të tjerë të rinj janë për krime më të vogla, por që janë dënuar maksimalisht. Si përsëritës i vjedhjeve të ndryshme një minoren është dënuar me 5 vjet heqje lirie ndërsa babai i tij shpreson që djali të rehabilitohet. Zëvendësministri i Drejtësisë deklaroi lehtësim të masave  në burgje.

“Do të kërkojmë lehtësimin e masave, pasi takimet kanë qenë të pezulluara për shkak të pandemisë”, tha Klajdi Karameta.

Megjithatë të rinjtë edhe pasi të dalin nga nga ky institucion riedukimi jashtë i pret një sfidë edhe më e madhe për të mos rënë sërish pre e rrugëve të kriminalitetit.

Institucionet mbajnë përgjegjësi vetëm në kohën kur ata gjenden brenda telave me gjemba.

“Në mbyllje të dënimit dhe integrimit të tyre në jetë, sfida i përket të gjithë shoqërisë”, pohoi zëvendësministri i drejtësisë.

Në institucionin e riedukimit të të miturve në Kavajë qëndrojnë të mitur nga i gjithë vendi.

K.H.