43% e shqiptarëve duan të largohen nga vendi

Postuar: 10/07/2018 - 07:34

Gati gjysma e popullsisë shqiptare dëshiron që të largohet nga vendi, sipas një sondazhi që është kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në kuadër të Barometrit të Opinionit Publik në vendet e Ballkanit. Të anketuarve nga i gjithë Ballkani u është bërë pyetja: A do të merrnit në konsideratë që të largoheshit dhe punonit jashtë vendit? 43% e shqiptarëve janë përgjigjur po, 52% kanë thënë jo dhe pjesa tjetër kanë refuzuar të përgjigjen. Dhe pjesa më e madhe e atyre që duan të ikin janë të kualifikuar.

Në fakt, banorët e shteteve të Ballkanit janë të prirur të marrin në konsideratë të largohen nga vendi i tyre. Të parët janë shtetasit e Kosovës, me 48% që janë përgjigjur se do të merrnin në konsideratë që të largoheshin apo punonin jashtë vendit. Më pas, vjen Bosnjë Hercegovina, me një përqindje të përafërt me Shqipërinë (44%). Më pak të prirur të largohen janë maqedonasit dhe serbët, përkatësisht me 39% dhe 32% të të anketuarve.

Migrimi i jashtëm mbetet një propozim shumë atraktiv, sidomos për segmentet e popullsisë së rajonit, që kanë më shumë mundësi të lëvizin, thekson Barometri. “Një numër i madh i të anketuarve raportojnë një prirje për të lëvizur jashtë ekonomisë së tyre dhe jashtë rajonit – kjo është ndoshta më shumë një tregues i pakënaqësisë sesa një deklaratë e qëllimit për të ikur, por ka shqetësime gjithnjë e më të mëdha për rrjedhjen e trurit”.

“Tregjet e huaja të punës vazhdojnë të konkurrojnë fuqishëm me ato vendase, veçanërisht në disa ekonomi, si Kosova dhe Shqipëria, si dhe për individët më të rinj dhe më të kualifikuar. Punëtorët me më pak aftësi kanë më shumë gjasa të kenë një nxitje më të fortë për të lëvizur, duke pasur parasysh mundësitë e tyre të punësimit të kufizuar në shtëpi, por ata nuk kanë gjasa të sigurojnë punësim jashtë vendit, të paktën jo pa fituar aftësi të reja. Kjo reflektohet në numrin relativisht të ulët të punëtorëve të pakualifikuar që thonë se marrin në konsideratë lëvizjen jashtë vendit”, përfundon raporti.

Por, ndërsa pyetja për Ballkanin mbetet në nivelin e dëshirës, shqiptarët kryesojnë në rajon, madje dhe në botë për bërjen realitet të saj. Sipas Raportit vjetor të situatës së azilantëve, të publikuar nga Bashkimi Europian pak javë më parë, Shqipëria renditet e shtata në botë për numrin e azilkërkuesve në Bashkimin Europian në vitin 2017, pas shteteve që i ikin luftës, si Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe Eritrea, me 26 mijë aplikime. Që nga viti 2013, rreth 157 mijë qytetarë shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil, ku numri më i lartë ishte në 2015-n, me rreth 69 mijë persona, për të zbritur më pas në 33 mijë persona në 2016-n.

Sipas përllogaritjeve të Monitor për numrin e azilkërkuesve për 1000 banorë për secilin nga 20 shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, Shqipëria renditet e para në botë, duke tejkaluar edhe azilkërkuesit që po ikin nga lufta dhe konfliktet, për shkak të popullsisë relativisht të vogël që ajo ka, prej 2.87 milionë banorësh.

Për çdo 1000 banorë në Shqipëri, numri i azilkërkuesve në vendet e Bashkimit Europian ishte 9, duke kryesuar top-listën. Të dytët renditen shtetasit nga Gambia, me 6.5 kërkesa për azil në çdo 1000 banorë, duke u ndjekur nga sirianët, të cilët po i ikin njërit nga konfliktet më të përgjakshme që ka njohur bota, me 5.9 kërkesa për 1000 banorë, të renditur të tretët.

/Monitor/

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

   Është përllogaritur se çdo vit për shkak të ajrit të ndotur në Europë humbin jetën në mënyrë të parakohshme rreth 400 mijë individë, s

Është përllogaritur se çdo vit për shkak të ajrit të ndotur në Europë humbin jetën në mënyrë të parakohshme rreth 400 mijë individë, sipa

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës organizoi më 20 shtator 2018, Ceremoninë e Diplomimit për rreth 1300 studentë të programeve Ba

   Gjermania është kthyer në ëndrrën dhe mundësinë e çdo të riu shqiptar.

SHÇBA ka arrestuar 6 punonjës të Policisë Kufitare për korrupsion pasiv, shpërdorim detyre dhe dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të k

   Italia po përballet me një krizë në sektorin shëndetësor, pasi në të gjithë vendin nevojiten rreth 53 mijë infermierë.

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, fton studentët që të aplikojnë në pro

Me një qetësi që gati të habit pasi ato çka nxjerr nga goja mund të kenë lënduar shumë zemra, Batin Duka ka treguar në emisioni ‘Me zemër

Për vitin 2018 Shqipëria ka numrin më të lartë të të burgosurve për 100 mijë banorë.

   Trendi i vajzave të reja dhe jo vetëm për të zbehur rrudhat në fytyrë apo për të zmadhuar pjesë të ndryshme me “lifting” apo mbushje,