Mjekja shqiptare, Eneida Doko, 34 vjeç, ndërroi jetë në Gjermani pas një aksidenti rrugor. Lajmin e bën të ditur gazeta gjermane BILD, ndërkohë që ndarja e saj e parakohshme nga jeta tronditi familjarët dhe miqtë e saj.

Mjekja Doko po udhëtonte të enjten me Merdecesin e saj të ri GLA. Për shkak se po nxitonte, ajo humbi kontrollin e mjetit, goditi një trafikndarëse dhe u përplas me një shtyllë betoni me forcë. Sipas dëshmitarëve, makina e saj fluturoi në ajër dhe ra në një kanal.

Ekipet e emergjencës tentuan ta sjellin në jetën dhe ia dolën për disa minuta. Por në spital ajo ndërroi jetë. Partneri i saj gjerman tha se ajo ishte një yll që shkëlqente dhe shpërndante lumturi kudo.

“Donim të martoheshim, të kishim fëmijë,” tha ai.

Eni u largua nga Shqipëria në vitin 2016. Ajo ishte specializuar në psikiatri. Partneri i saj tha se ajo fliste shumë mirë pesë gjuhë dhe kishte mësuar gjermanishten perfekt për një vit.