“Kalojnë kufirin me autobusë turistikë. Janë të shoqëruar nga të afërm, shokë ose edhe nga vetë prindërit e tyre. Sapo arrijnë në Itali deklarojnë se janë fëmijë të braktisur. Qeveria jonë është e detyruar t’u plotësojë dokumentet, të gjejë strehim dhe t’i ushqejë.” Kështu nis një shkrim në faqen online të “Il Gionarle D’Italia” sipas së cilës, po merr rritje fenomeni i fëmijëve shqiptarë të braktisur qëllimisht në rrugët e Italisë me motivin e vetëm: sigurimin e lejeve të qëndrimit për ta.

Të miturit shqiptarë udhëtojnë përmes autobusëve turistikë (SOM) dhe me të kaluar kufirin vetëshpallen si të “braktisur”. Sipas ligjit italian, të miturit e braktisur nuk trajtohen njëlloj me mazhorenët dhe përfundojnë nën përgjegjësinë e institucioneve. Të braktisurit përfshihen në sistem, ndërsa ata që i sjellin, në shumë raste vetë prindërit, rikthehen në Shqipëri.

Sipas “Il Gionarle D’Italia”, 5190 të mitur të huaj kanë hyrë në Itali dhe janë shpallur si “të braktisur”. Shifra vjen nga Ministria e Punës dhe nga zyrat e politikave sociale. Pas kësaj shifre fshihen dhe të miturit shqiptarë që me mashtrimin e tyre përfitojnë përfshirjen në shkolla e punë. Sipas të dhënave të majit të këtij viti, të huajt e ardhur nga Ballkani kanë qenë 1662. Shifrat flasin për 2221 të mitur nga Gambia dhe 2123 të ardhur nga Egjipti.