Djali 11-vjeçar Alvin Berisha, i cili u shpëtua nga kampi Al Hol në Siri ka mbërritur në Durrës me babanë e tij.

Afrim Berisha ka postuar në profilin e tij në Instagram disa foto me djalin pranë portit.

Djali duket se është në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Pas largimit nga kampi Al Hol, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në këmbë. Ai mbeti i plagosur gjatë një atentati me bombë në Siri ku humbi jetën nëna e tij.

Në moshën 6-vjeçare, në dhjetor të 2014-s, Alvin Berisha shkoi drejt Sirisë me të ëmën që ka dashur t’i bashkohej ISIS-it. Nëna e tij, e lindur në Durrës në vitin 1982 ka emigruar në Itali, ku edhe ra pre e propagandës fetare radikale islamike.

Ajo humbi jetën nga një bombardim kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, ngjarje gjatë të cilës është plagosur rëndë edhe Alvini. U desh një operacion i mirëorganizuar nga autoritetet italiane dhe shqiptare si dhe organizatat humanitare për të bërë të mundur nxjerrjen nga kampi i ferrit dhe bashkimin e Alvinit me familjen e tij, historia e të cilit preku zemrat e gjithë shqiptarëve.

Tashmë sfidë për shtetin shqiptar mbetet kthimi i rreth 28 fëmijëve të tjerë shqiptarë që gjenden në kamp.