Banorët: Policia dhe prokuroria të hetojnë si po abuzohet me fondet.

Njihet si rruga e Lagjjes së Re në Durrës, ose rruga “Ibrahim Buzhiqi”,  rikonstruksioni i të cilës u mirëprit me gëzim të madh nga i gjithë komuniteti i gjerë i banorëve që jetojnë aty.

Punimet nisën 2 javë para zgjedhjeve të 25 qershorit me nxitim të madh. Firma e cila fitoi tenderin prej 135 milionë lekësh të bashkisë së Durrësit,  menjeherë pas zgjedhjeve ndërpreu punimet. As përgjysmë nuk i la, sepse nuk u krye as 1 e 4 e volumit të punimeve të parashikuara, dhe u larguan punëtorët nga rruga.

Në tabelën e punimeve thotë se afati i tyre është 60 ditë.

60 ditë po kalojnë që kur punëtorët e firmës janë larguar nga rruga duke u lënë zullumin pas të gjithë komunitetit.

Firma shkoi dhe hapi rrugën duke lënë anës saj në vend të trotuareve ku duhet të ecnin këmbësorët pirgjet e mëdha me materialin që gërmoi prej shtratit të saj.

Gropat që ishin jo vetëm që nuk u sistemuan, por nga gërmimi janë krijuar edhe ca të tjera edhe më të mëdha, duke e bërë rrugën krejtësisht të pakalueshme.

Pluhuri ngrihet në qiell, aq sa askush nga banorët në të dy krahët e rrugës nuk ka guximin të hapë dyert apo dritaret në një kohë që temperaturat kanë shkuar rreth 40 gradë.

Subjektet e vogla të biznesit anës rrugës kanë falimentuar për shkak të gjendjes katastrofike të rrugës.

Banorët e Lagjes së Re, u ankuan pranë “Durrës Lajm”, duke kërkuar që të bëjmë prezent hallin e tyre, që ka lidhje me jetesën e tyre të përditshme. Ata thonë se nuk kanë asnjë mundësi ku të shkojnë, sepse nëse do të kishin, do të ishin larguar jo vetëm nga lagjja e tyre ku kanë banesat , por edhe nga Durrësi e nga Shqipëria pas ferrit që po përjetojnë.

Ky është një investim publik, që ka marrë nga taksat e të gjithë durrsakëve 135 milionë lekë.

Janë paratë që secili prej nesh i ka paguar në formën e taksave vitin që shkoi, që kjo lagjje të ketë kushte normale jetese.

Në të tillë situatë kur një investim publik nuk përfundon , kur kontrata shkelet me të dy këmbët nga ana e firmës zbatuese, policia dhe prokuroia duhet të nisin hetimet. Të jenë këto institucione në ballë të shqetësimit qytetar, të cilët denoncojnë me fakte mosbatimin e kontratës. Rruga nuk është larg, është në krah të Mauzoleumit të Dëshmorëve, aty ku çdo punonjës policie kalon çdo ditë për të shkuar në punë. Është po kaq pranë edhe nga prokuroria e cila nuk ka pse mundohet shumë për të vërejtur shkeljet që bëhen, sepse tabela e nisjes së punimeve është aty, nuk e kanë lëvizur akoma.

Prezente në rrugë janë gropat e hapura, fekalet dhe pluhuri. Në të tillë katastrofë e gjetën rrugën e tyre mërgimtarët që erdhën nga jashtë për të takuar të afërmit. Në të tillë gjendje edhe po e lënë.

K.H.