Me qindra besimtarë ortodoksë në Durrës kanë marrë pjesë në ceremoninë e Udhës së Kryqit apo të lëvizjes së Epitafit të Krishtit. Është ky një rit fetar, që organizohet në mbrëmjen e të premtes së zezë dhe që synon të shprehë dhimbjen e besimtarëve për kryqëzimin e Krishtit.

Ceremonia e shërbesës së epitafit dhe procesioni filloi nga Kisha Ortodokse e "Shën Palit dhe Shën Astit" në Durrës. Ka qënë një kortezh i madh besimtarësh që kanë shoqëruar Epitafin, atë që në fenë e krishterë simbolizon Krishtin në kryq.

Me një marshim të heshtur, qindra persona kanë bërë parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të qytetit. Dita e premte e kësaj fund jave, në liturgjinë fetare, përkon me të Premten e zezë, që simbolizon vdekjen e Jezusit.

Sipas historiografisë kishtare, Jezu Krisht vdiq në kryq ditën e premte, për t’u ringjallur më pas mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diela, që përkon edhe me festën e Pashkëve, festa që së bashku me Krishtlindjen, është më e rëndësishmja në kalendarin e krishterë.