Në studion e emisionit me “Zemër të Hapur” në News 24 janë trajtuar ngjarje të cilat kanë shokuar mbarë opinionin publik. E tillë ishte dhe ngjarja makabre e ndodhur në 1 shkurt të 2020 në Xhafzotaj të Durrësit, ku burri vrau me thikë bashkëshorten Manjola Cuku.

Vrasja ndodhi brenda në banesë, aty ku ndodheshin edhe tre fëmijët e çiftit, në moshë fare të mitur. Lulzim Cuku masakroi me thikë bashkëshorten dhe e mbylli atë me çelës në tualet, u largua nga banesa, ndërkohë që telefonoi kunatën e tij se e kishte vrarë Manjolën dhe se ajo duhet të njoftonte policinë.

Fëmijët të tronditur zgjohen nga gjumi dhe gjejnë nënën të masakruar në tualet. Vajza e madhe që ishte vetëm 10 vjeç rrëmbeu telefonin e të ëmës dhe telefonoi gjyshin, duke i thënë se babai kishte therur me thikë mamin. Ngjarja mori përmasa tragjike që edhe pse sot kanë kaluar gati 7 muaj ende trauma dhe tragjedia e vrasjes së Manjola Cukut është mes prindërve të saj dhe fëmijëve.

Për here të parë pas tragjedisë nëna e Manjola Cukut thyen heshtjen.

Ajo rrëfeu sot në studio detaje rrëqethëse nga biseda me nipërit që e gjetën Manjolën pa shenja jeta. E ëma e Manjolës hedh dyshime se natën e krimit dhëndri i saj Lulëzimi është ndihmuar edhe nga i vëllai.

“Në orën 6 janë vënë herët në gjumë fëmijët. Ata zakonisht flinin vonë në orën 1 të natës. Nuk dinë asgjë fëmijët se çfarë ka ndodhur mes prindërve atë natë. Vajza e madhe e ka parë nënë e saj të vrarë në tualet. Vajza e madhe tha dola dhe pashë gjurma gjaku…mendoj që ka qenë edhe kunati aty atë natë kur e ka vrarë se po të kishte sherr në familje do ngriheshin fëmijët nga gjumi. Mendoj që ata e kanë marrë me forcë vajzën. “Hapi sytë, na pa dhe pastaj nuk i celi më”, kështu më thanë fëmijët. Humbja e jetës nuk është nga goditja me thikë por nga hemorragjia, Fëmijët thonë se mami ka qenë e zhveshur. A ka më krim se sa ka bërë ai? A i duhet varur se fëmijët e tërhoqën zvarrë nënë e tyre, e nxorën nga tualeti u bënë gjithë gjak. Unë mendoj që nxitës në këtë histori kanë qenë të dy kunetërit e Manjolës, ndërsa dyshoj që atë natë kanë qënë Dashamiri ose Fatosi. Shkonte të çonte fëmijët në shkollë e ruante kunati nga pas. Me vajzën flisja thoshte nuk kam njeri, se e akuzonin për tradhti, i thoshin ke dashnor. Ajo thoshte le të ma gjejnë. Sipas tyre ka folur në telefon natën. Telefonin e ka lënë në karikim një natë vajza dhe ka shkuar të flejë, ka rënë një zile burri nga Greqia dhe ajo nuk e ka hap, ka rënë në gjumë. Burri që nga ajo natë i thoshte më ke tradhtuar se nuk ma hapte telefonin”,- tha nëna e Manjolës.

BISEDA E PLOTË

Evis Ahmeti: Si e morët vesh lajmin zonja Dallandyshe?

E ëma e Manjolës: Na mori në telefon mbesa e madhe e cila telefonoi gjyshin dhe i tha, O gjysh! Babi ka therur mamin me thikë

Evis Ahmeti: Si e kishte gjetur vajza Manjolën? Ku ishte?

E ëma e Manjolës: Manjola ishte e therur me thikë në banjo dhe dera ishte e mbyllur me çelës, vajza gjeti gjurmët e gjakut dhe ato e çuan ted era e banjës. Vajza gjeti çelësin dhe e hapi derën dhe brenda ishte mbushur në gjakë, Manjola hapi sytë vetëm një cast dhe i mbylli përgjithmonë… thotë mbesa

Evis Ahmeti: Po fëmijët e tjerë ku ndodheshin? Dhe kur ju mbërritët ku ishin fëmijët dhe ku ndodhej trupi i viktimës?

E ëma e Manjolës: Ne u nisëm menjëherë, por rrugës unë dyshoja se diçka ka ndodhur, por para nesh ka shkuar vajza ime që ndodhet aty, por aty ajo ka gjetur kunatin e Manjolës dhe ai i ka thënë që çfarë do ti aty!

E ëma e Manjolës: Fëmijët ishin të tre mbi trupin e Manjolës dhe të mbytur në gjakë, ndërsa trupi i saj kur ne mbërritëm e kishte marrë policia.

E ëma e Manjolës: Unë akuzoj për vrasjen kunetrit e Manjolës të cilë gjithmonë kanë qenë gjithmonë sebep i sherrit mes Manjolës dhe Lulzimit, ata e akuzonin për të dashur dhe për tradhëti.

Evis Ahmeti: Si e gjetët Manjolën ?

E ëma e Manjolës: Manjola ishte e zhveshur dhe vetëm një triko të veshur kishte, ndërsa te dosja është shkruajtur se ajo ka humbur jetën për shkak të rrjedhjes së gjakut.

Evis Ahmeti:Kur vajza e gjeti Manjolën ishte me frymë apo kishte ndërruar jetë?

E ëma e Manjolës: Po sapo vajza e kishte hapur derën, Manjola kishte hapur sytë e kishte pare dhe pastaj I kishte mbyllur, vajza e ka tërhequr nënën zvarrë për ta nxjerrë në koridorin e dhomës dhe të tre fëmijët kanë qëndruar mbi trupin e saj, djali I vogël vetëm 1-vjeç qëndronte mbi të dhe pinte gji [shpërthen në lot nëna e Manjolës.

Evis Ahmeti: Pse ju akuzoni kunatin dhe çfarë ndodhi atë natë me Lulzimin?

E ëma e Manjolës: Lulzimi e vrau dhe u largua duke e kyçur në çelës, ndërsa në moment njoftoi kunatën e tij e cila ishte në spital e shtruar në spitalin e Tiranës duke i thënë që “unë Manjolën e vrava njofto policinë”.

Evis Ahmeti: Nisur nga ato çfarë keni deklaruar ju sëbashku dhe me vajzën tuaj në redaksinë e emisionit, keni treguar se kunati dhe kunata e Manjolës donin të merrnin shtëpinë dhe pikërisht për këtë edhe e akuzonin?

E ëma e Manjolës: Po sepse ata ngrinin akuza të rënda mbi Manjolën që ajo ta linte shtëpinë dhe të shkonte te Lulzimi, aty në Greqi ku ai edhe jetonte.

E ëma e Manjolës: Ata i thoshnin Lulzimit që eja mere me gjithë fëmijët se kjo të tradhëton, ka dashnor! Qëllimi i tyre ishte që të largohej nga banesa Manjola dhe ai kunati të jetonte me familjen e tij në atë banesë.

Evis Ahmeti:Kishit biseduar ndonjë moment me Manjolën ju kishte treguar gjithçka çfarë po i ndodhte?

E ëma e Manjolës: Po kisha biseduar dhe me Manjolën dhe me Lulzimin, i kisha thënë edhe atij që çfarë problem keni që ziheni dhe ai thoshte s’kam asgjë pyet Manjolën nëse ka gjë. /BW