Edhe ministrja e Shëndetësisë Orgerta Manastirliu, ka reaguar ashpër për ngjarjen e regjistruar në QSUT, ku u dhunua një mjek rojë.

Ministrja, në reagimin e saj dërguar medieve, bën me dije se ka kërkuar që kanosja për shkak të detyrës ndaj mjekëve, të klasifikohet si vepër penale.

“Në cilësinë e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dënoj me forcë aktin e neveritshëm, të agresionit të dhunshëm ndaj mjekut infeksionist G.S, ditën e djeshme në spitalin infektiv në QSUT.

Eshtë barbari të sulmosh një profesionist të shëndetit, për më tepër në kushtet kur është duke ofruar me përkushtim dhe profesionalizëm, shërbim shëndetësor për qytetarët.

Sulme të tilla ndaj mjekëve, infermierëve, apo cilitdo që me vetëmohim dhe sakrificë, punon përditë, në shërbim të shëndetit të qytetarëve, meritojnë ndëshkimin maksimal që lejon ligji”, thotë Manastirliu.

Më tej në reagimin e saj, ministrja inkurajon organet e drejtësisë të hetojnë me prioritet maksimal këtë ngjarje të ndodhur brenda mjediseve të një spitali dhe të procedojnë duke dhënë një ndëshkim shembullor për agresorët.

“Akte të tilla nuk mund të tolerohen, ndaj kam propozuar një ndryshim në kodin penal, për të konsideruar kanosjen ndaj bluzave të bardha, si vepër penale.

Do të nisin një seri diskutimesh edhe për rishikimin e gabimit mjekësor dhe mënyrës se si ai trajtohet. Patjetër që do të dëgjohet zëri i profesionistëve. Por unë besoj se kjo nismë është e rëndësishme për  të garantuar respektimin e dinjitetit të mjekëve, siç ata e meritojnë”, mbyll reagimin e saj.