Dikur ëndërroja plazhin e Durrësit, sot më duket sikur më çojnë për dënim!

15/03/2019 - 12:38

Nga Admir Malaj, #ZëriIntegrimit

Para 25 vjetësh ishte eveniment të shkoje në Durrës, tek Shkëmbi Kavajës.

Zakonisht shkonim familjarisht dhe “familjarisht” para 25 vitesh donte të thoshte të shkoje si fis, deri në shkallën e dytë.

Kështu dhe ne, pra familja ime, dajallarët e mi, fëmijët e tyre, bashkoheshim dhe ashtu, 15 – 20 syresh shkonim në plazh.

Një ditë përpara përgatiteshin tavat me speca të mbushur, imam bajalldi, pastiçe, qumështor, tenxheret me pilaf, bërxolla kur kishte, zgjidhej rakia, bliheshin birra, por dhe shalqi, bostan, kumbulla, fiq.

Madje para nisjesh disa nipër dhe mbesa mblidheshin nën të njëjtën shtëpi, e kërkonim vetë dhe flinim të gjithë në të njëjtin krevat, ose dhe poshtë, përdhe. Flinim, në fakt nuk flinim, por rrinim gjithë natën zgjuar dhe thurnim ëndrra me zë të ulët dhe me sy hapur për ditën e nesërme.

Dhe e nesërmja vinte, të gjithë me çarçafë, ndonjë peshqir, tenxhere, tava, shishe limanatash me ujë të ngrirë, poçe me raki, birra, nëpër çanta me bezeje dhe fruta, sidomos shalqiri, që normalisht e mbanin burrat mbi shpatullat e tyre të forta post – socialiste.

Ashtu të gjithë të gëzuar dhe krenarë futeshim dhjetëshe – dhjetëshe nëpër makinat e para demokratike që u futën në treg, pak të lodhura por italiane, franceze dhe gjermane. Nuk e di sesi na mbanin gjithato persona brenda, sepse sot edhe dy veta me bagazhe duken ngushtë brenda një makine.

Fisi jonë zakonisht preferonte sinjorinat italiane dhe fraulajnat gjermane, Fiat, Opel dhe shumë vonë fraut Mercedes. Kështu në njërin nga udhëtimet që mbaj mend në detaje, unë bashkë me një kushuririn tim, ishim ulur mbrapa, në bagazhin e një Opel Rekord dhe në ato 2 orë rrugë nga Elbasani, gati tre me ndalesa, se atëherë gratë i zinte ende makina, që na duhej për të shkuar tek Shkëmbi Kavajës, ne të dy i nxorrëm fundin specave të mbushur, bashkë me të bërtiturat e më të rriturve, që më shumë kishin hallin e xhelozisë së fëmijve të tjerë, sesa të faktit që u hëngrëm specat. Në fakt bërtitnin dhe na shkelnin syrin.

Gjithsesi, më në fund shfaqej Shkëmbi Kavajës. Edhe pse ashtu dhjetë vetë të sardelosur brenda një makine, ne mbërrinim triumfues, pasi shikonim sesi me qindra zbritnin nga stacioni i improvizuar i trenit, të ngarkuar, djersitur dhe të hutuar, por këto ishin të rriturit, ndërsa më të vegjlit gjëmonin për të arritur detin, përtej pishave.

Atëherë Shkëmbi Kavajës ishte plot me pisha, shumë pak ndërtime, më së shumti bunkerë. Gjithsesi, sapo arrinim fillonte puna e vërtete, montoheshin tendat, dmth katër shkopinj ku varej një çërçaf, shtroheshin batanijet, ose copa bezeje përdhe, vihej shalqiri dhe pijet në det, si dhe hapeshin tepsitë. Kishte edhe nga ato kurajozë që ndiznin hellin.

Ne fëmijët hudheshim në det me komardare, që në fakt vjen nga italishtja “camera d’aria”, e që nuk ishin gjë tjetër veçse kapertona makine, apo motorri, kush ishte me fat kishte komardare kamioni apo traktori, të madhe, gjigande, sa një gomone.

Ashtu ca me frikë e ca me trimëri kalonim bregun e parë dhe shkonim drejt breg të dytë, madje ka pasur fjalë që disa nga ne arrinin dhe bregun e tretë. Unë në fakt nuk dija not dhe mbetesha brenda në rrjetën e komardares.

Eh sa herë kemi pirë ujë, sa herë jemi djegur dhe në fakt këto gjëra ndodhin edhe tani, veçse atëherë kur notoje në breg, të shfaqeshin “nëndetëse” ka*e dhe të lyenin me kos kur digjeshe.

Dita fluturonte, e në fund ishim të velur nga e ngrëna, të përcëlluar, me rërë në çdo cep të trupit, e të mufatur, por të lumtur. Ngjisheshim sërish në makinë dhe fillonte kthimi pas, me ndalesa kuptohet.

Duket kollaj tani, po ishte tmerr, pasi rruga deri në Rrogozhinë ishte e ngushtë dhe e ngarkuar, pastaj në Rrogozhinë duhej të futeshe brenda në qytet, plot gropa, ashtu si dhe në Peqin, Bradashesh, e deri sa mbërrije në Elbasan, nga darka copa – copa.

Të nesërmen do tregonim sërish njëri tjetrit dhe atyre që nuk ishin historinë e ditës, sigurisht të zbukuruar.

Pse mu kujtua gjithë kjo histori?

Sot jam sërish tek Shkëmbi Kavajës, që fatmirësisht nuk është shumë i populluar sivjet, gjysma të keqes, se ndryshe nuk rrihet.

Në fakt nuk më rrihet, më duket sikur më kanë dënuar që rri këtu, ndërsa shoh kushurinjtë e mi, që nga Instagrami më “përshëndesin” nga Drimadhas, Livadhë, Himara e Saranda.

Kam të njëjtën ndjenjë që kisha para 25 vjetësh, kur në disa raste, kushurinjtë e mi vinin tek Shkëmbi Kavajës dhe unë duhet të rrija në Elbasan dhe lahesha në Shkumbin. Trishtim!

Se pse, se qysh, se tek, nuk di ta shpjegoj …

Edhe pse, me thënë të drejtën nuk është thjesht çështja e jugut, sepse në jug kam shkuar që 5 vjeç, pra para 30 vitesh, tek kampi punëtorëve, edhe më përpara të dielave tek Shkëmbi Kavajës, po ato ishin pushime socialiste. Histori tjetër. /Faktor.al

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Desi Balliu është një 53-vjeçare, kryefamiljare që banon në Durrës prej më shumë se një dekade.

Në Ditën Botërore të Hipertensionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan Forumin Shkencor: “Kontrolli Mj

Qeveria shqiptare ka marrë një tjetër vendim për zgjerimin e përfituesve të fishave të diabetit falas.

Televizioni dhe interneti luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve.

Të gjitha godinat e Spitalit Rajonal të Durrësit janë në proces lyerje prej disa javësh.

Largimi i të rinjve, tendenca e çifteve për të bërë më pak fëmijë, pasiguria për të ardhmen, të ardhurat e pakta të disponueshme, ndryshi

Nuk ka rëndësi nëse ju jeni një udhëtar për çështje biznesi ose dikush që shkon jashtë për pushime, një nga shqetësimet kryesore që do të

Zgjerimi i sektorëve të ekonomisë që nuk kërkojnë shumë kualifikim, të tillë si fasoni, call center, turizmi etj, po e bëjnë gjithnjë e m