42 fëmijë në institucionet e përkujdesit janë rikthyer në familjen biologjike; 92 fëmijë janë vendosur në kujdestari brenda rrethit familjar dhe 25 fëmijë janë birësuar.

Një vit pas shpalljes së planit të deinstitucionalizimit për fëmijët pa kujdes prindëror, në Ditën e Jetimëve, Ministrja Manastirliu prezantoi rezultatet e punës së deritanishme të skuadrave të terrenit, me synim kthimin e fëmijëve në familjen biologjike ose vendosjen në kujdestari alternative.

“Çdo politikë e re apo program i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale drejtohet nga interesi më i lartë i fëmijës. Por ne kemi një detyrë mbi detyrat: të kujdesemi për femijët pa kujdes prindëror. Për ne është parësore bashkimi i fëmijëve me familjen biologjike kurdo kur është e mundur një familje biologjike apo kujdestare dhe në rastet kur janë më të rritur, për ti përgatitur për një jetesë të pavarur”, tha Manastirliu.

Duke theksuar se po punohet për përshpejtimin e planit të deinstitucionalizimit, pra daljes së fëmijëve nga institucionet dhe sigurimi i një kujdesi alternativ për ta, Manastirliu tha:

“Grupet e punës kanë bërë një vlerësim të thelluar të çdo fëmijë në institucion, duke përfshirë dhe hartimin e planit zhvillimor jo vetëm të fëmijës por dhe të familjes, aty ku ajo ekziston. Pas procesit të vlerësimit për 232 fëmijë të institucioneve të kujdesit social, u konkludua se 46 fëmijë do të kthehen në familjet biologjike, duke mbështetur dhe fuqizuar familjet me shërbime psiko-sociale, mundësi strehimi dhe mundësi punësimi”.

Vlerësimi i fëmijëve rezidentë në 9 institucione publike të shërbimeve të përkujdesit, u bë nga 9 skuadra terreni të trajnuara që ndoqën metodologjinë e miratuar në bashkëpunim me partnerët e UNICEF dhe Save the Children,  bazuar në parimet e  Konventës për të Drejtat e Fëmijës për Mos-diskriminimin; interesin më të lartë të fëmijës; të drejtën e jetës, mbijetesës dhe zhvillimit si dhe respektimin e mendimit të fëmijës.

Veç fëmijëve që u vlerësuan për kthim në familjen biologjike, u konkludua se 39 fëmijë do të birësohen dhe për ta do të nisi nose janë në proces procedurat e birësimit; 34 fëmijë mund të vendosen në shërbimet e kujdesit alternativ (familje kujdestare me dhe pa lidhje gjaku); 20 fëmijë do të mbështeten drejt jetesës së pavarur dhe 93 fëmijë do të vendosen në shërbime miqësore për fëmijët  të modelit “Shtëpi Familje”.

Manastirliu vuri theksin te parandalimi i institucionalizimit, si mënyra më e mirë për mbrojtjen e fëmijëve në situatë rreziku.

“Inkurajoj Bashkitë që të parashikojnë në Planet e tyre Sociale, shërbime të përkujdesit shoqëror miqësore për fëmijën dhe familjen në nivel vendor, me qëllim parandalimin dhe krijmin e kushteve për de-institucionalizim”, tha Manastirliu.

Plani individual për çdo fëmijë të institucioneve  të kujdesit social është realizuar nga 9 grupe terreni me psikologë dhe punonjës socialë, mbështetur nga UNICEF dhe Save the Children.