Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, shoqata e të verbërve në Durrës ka kërkuar më shumë vëmendje nga qeveria dhe me shumë aksesueshmëri në ambientet publike.

I shoqëruar nga disa persona me shikim të kufizuar, presidenti i shoqatës “Shpresë për të verbërit”, Saimir Farrici ngriti zërin për një sërë kërkesash, mungesa e të cilave vështirëson jetën e kësaj kategorie.

Semafori me sinjale zanore, infrastrukturë e aksesueshme për të verbrit, njohja e përfitimeve që vijnë nga libreza e Personave me Aftësi të Kufizuar, janë disa nga pikat e përmendura nga kreu i shoqatës.

Sipas Farricit pagesa e shërbimit social për të verbërit me vlerë 12 000 mijë lekë të reja, është e pamjaftueshme për të përballuar nevojat e jetës.

Statusi i të verbërve ka përcaktuar që kjo kategori personash të marrin shërbimin urban dhe interurban me kosto 50%, por shtatë vite më parë me VKM ky status është ndryshuar.

Në këtë vendim thuhet se të verbërit dhe shoqëruesit e tyre të marrin kompesim për biletat e transportit, por kjo VKM nuk është zbatur kurrë, thotë presidenti shoqatës.

G.D.