Rruga "Doktor Paskal Prodani" është pjesë e lagjes numër 18 të qytetit. Degradimi i saj është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për banorët e zonës. Gjatë sezonit të shirave, ky segment rrugor mbulohet nga uji dhe balta, duke e vështirësuar qarkullimin për drejtuesit e automjeteve, por edhe për këmbësorët, të cilët duhet të mendohen për çdo hap që hedhin.

Banorët pohojnë se kjo problematikë është e shtrirë në vite, por nga ana tjetër e shohin si normale këtë gjendje, pasi sipas tyre, kjo nuk është e vetmja rrugë e degraduar në qytet. Era e rëndë i bashkangjitet gropave të mbushura me uje dhe baltës, duke krijuar një situatë alarmante.

Gjendja paraqitet kritike, pasi ky aks rrugor është kthyer në një vatër për përhapjen e infeksioneve të rrezikshme. Pranë kësaj rruge gjendet edhe shkolla e mesme e përgjithshme "Naim Frashëri". Nxënësit dhe mësuesit janë pëdorues të rregullt të saj. Problematika e krijuar pranohet edhe nga punonjësit e qendrës shëndetësore numër 4 të qytetit, e cila është e vendosur në këtë zonë.

Degradimi i akseve rrugore nuk është një problem i panjohur për qytetarët durrsakë. Ndërhyrjet e kryera nuk janë të planifikuara, prandaj nuk arrijnë t'i japin zgjidhje përfundimtare situatës. Rasti i rrugës "Doktor Paskal Prodani" është një shembull konkret i kësaj.

K.H.