Pas një kalvari të gjatë nëpër gjyqe, durrsaku Mikel Sholla u përball sot me përmbarimorët që duan ta nxjerrin nga shtëpia.

Apartamenti i tij, në një pallat shumëkatësh në lagjen nr.11, në zonën e njohur me emrin ish-boza, është tjetërsuar dy herë duke u shitur nga firma ndërtuese e Rrapush Hoxhollit.

Për të njëjtën çështje, Sholla pati protestuar 3 vite më parë para gjykatës së Durrësit, pasi e konsideron veten një qytetar të viktimizuar nga drejtësia.

Mëngjesin e sotëm, përmbaruesit u paraqitën para apartamentit të Shollës për të ekzekutuar vendimin e gjykatës së 3 viteve më parë, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë për të zotin e shtëpisë, që kërcënoi edhe me vetëvrasje.

Pas një debati të ndezur rreth gjysëm ore me përmbaruesin, Sholla i propozoi këtij të fundit një marrëveshje një javore, deri në pritje të vendimit të ardhshëm të gjykatës, që mund të rrëzojë urdhrin e ekzekutimit. Propozimi i Shollës u mirëprit nga përmbaruesi, që vendosi pro një afati shtyrje prej një jave.

Në fund, shtetasi Sholla u hapi derën e shtëpisë përmbaruesit dhe efektivëve të policisë për nënshkrimin e marrëveshjes. Firma ndërtuese e shtetasit Rrapush Hoxholli akuzohet nga qytetarë të ndryshëm në Tiranë dhe Durrës për mashtrim dhe shitblerje disa herë të të njëjtit apartament.  

M.B.