Portali "DurrësLajm" kërkon të punësojë një gazetar/e për web, të interesuarit të dërgojnë CV-në në adresën e email: [email protected]

Durrës. Binjakëzim: shkollat “Hysen Çela” dhe “Remo Brindisi” Comacchio

10/09/2015 - 22:11

   Tani peshkimi në Durrës dhe në Shqipëri do të ketë të shkolluar me përvojën e famshme italiane.

10 shtator 2015 - Sot u nënshkrua marrëveshja e binjakëzimit të shkollës së mesme profesionale “Hysen Çela” Durrës me shkollën profesionale të bashkuar të peshkimit “Remo Brindisi” në Komakio (Comacchio) të Ferraras. Në ceremoni e nënshkrimit të marrëveshjes nga dy drejtorët e shkollave përkatëse ishin të pranishëm Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi; kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako; ambasadori i Republikës Italiane në Tiranë, Massimo Gaiani etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri Blendi Klosi tha ndër të tjera:

“Nëpërmjet  aktivitetit të sotëm, ne hedhim hapin e parë drejt binjakëzimit të kësaj shkolle italiane të ekselencës dhe me emër në Evropë, me shkollën tonë “Hysen Çela”, duke synuar kthimin e saj në një shkolle profesionale model që lidhet si me traditën, ashtu edhe inovacionin e modernen. Prania e z. ambasador dhe e të ftuarve nga Rajoni i Emilia Romanja-s (Romagna) në këtë event tregon për mbështetjen që qeveria italiane i ka dhënë dhe i jep qeverisë sonë në shumë fusha, përfshirë edhe AFP (arsimi formues profesional). Shkolla “Hysen Çela”, falë këtij binjakëzimi, do të mundet të kthehet në një nga pionieret e shkollave të ekselencës politeknike që qeveria kërkon të krijojë në disa nga qarqet e vendit. Shkolla e mesme profesionale “Hysen Çela” në Durrës ka një histori, ka një përvojë, por përmes reformës së arsimit e formimit profesional, ne synojmë që këtë infrastrukturë të përshtatshme ta kthejmë në një kampus të mësimit e formimit të specialistëve të nivelit të Italisë, pra të Europës, në përputhje me kërkesat e tregut të punës, të bizneseve në Durrës, italiane apo shqiptare, pse jo edhe të tregut evropian të punës. Reforma që ne po ndërmarrim në zbatim të Strategjisë së sistemit të AFP -së është  shumëplanëshe. Ajo do të bazohet në një ligj të ri të AFP-së, ku do të jenë të përcaktuara qartë funksionet dhe përgjegjësitë në të gjitha nivelet. Një ligj tjetër po aq i rëndësishëm në fushën e profesionit do të jetë ‘Ligji i Zejeve’. Projektligji, i cili së shpejti do të miratohet nga qeveria, është bërë në konsulencë me ekspertët më të mirë evropianë. Reforma do të synojë optimizimin dhe shpërndarjen e shkollave dhe qendrave, duke siguruar profilizimin e tyre, si dhe për t’i shndërruar ato në institucione shumëfunksionale të AFP-së. Kjo do të thotë që, veç funksionit klasik si shkollë, ato të funksionojnë edhe si qendra komunitare të formimit dhe specializimit profesional, përfshirë këtu edhe konceptin e mësimit gjatë gjithë jetës, në përshtatje me ndryshimin e teknologjive”.

Kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako tha:

“Ky projekt është mjaft i mirë për Durrësin, pasi ne dhe biznesi lokal synojmë një rritje profesionale të stafit që punësohet pas përfundimit të shkollës”.

Ambasadori Masimo Gaiani u shpreh:

“Është e rëndësishme që të investohet në burimet  njerëzore dhe formimin e tyre dhe në këtë mënyrë është mjaft e rëndësishme që t’u përgjigjemi kërkesave dhe kushteve të tregut. Nënshkrimi i marrëveshjes me shkollën italiane që ka eksperiencë shumëvjeçare në fushën e ekonomisë së detit dhe industrinë e peshkimit do të bëjë të mundur që edhe nxënësit e shkollës “Hysen Çela” të përfitojnë nga kjo përvojë”.

Info

Shkolla Teknologjike u hap në vitin 1968, duke funksionuar si shkollë pa shkëputje nga puna, e cila u ngrit për të plotësuar kërkesat në rritje në ndërmarrjet ekonomike të rrethit të Durrësit për punëtorë të kualifikuar.

Degët ushqimore dhe kimike pa shkëputje nga puna kanë funksionuar deri në vitin 1993.

Në vitin 1983-1984 u hapën degët ushqimore dhe kimike me shkëputje nga puna në sistemin 4-vjeçar. Gjatë kësaj kohe u fuqizua baza materiale e didaktike.

Në vitin mësimor 1993-1994 u hap dega 4-vjeçare ushqimi social, që funksionoi deri në vitin 1998. Po në këtë vit u hap dhe dega konfeksione 3-vjeçare, e cila në vitin 2006  kaloi në sistemin 5-vjeçar.

Ne vitin 1996-1997 u hap dega hoteleri-turizëm me sistem 3-vjeçar, e cila në vitin 2000 kaloi me sistem 5-vjeçar. Në vitin 1996 dega hoteleri-turizëm u binjakëzua me shkollën e zanateve “Blois” në Francë. Përfaqësuesit francezë kontribuuan konkretisht me bazën materiale duke ngritur restorantin dhe kuzhinën me pajisje bashkëkohore si dhe duke dhënë edhe asistencë teknike me specialistë francezë që kanë punuar me mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle. Në vitin 1998-2001 një grup mësuesish specialistë të degës hoteleri-turizëm u specializuan në Francë, duke përmirësuar nivelin e mësimdhënies dhe të praktikave profesionale.

Në vitin 2003 u hap dega 3-vjeçare e peshkimit me kërkesën e “Shoqatës së Peshkimit”,  e cila vazhdoi deri në vitin 2009. Në vitin 2014 u rihap me sistemin 2+1+1.

Në vitin 2009 u hap dega e re 2+2  ekonomik.

Sot po punohet në degët hoteleri-turizëm, konfeksion-stilim, teknologji  ushqimore me sistemin e ri 2+1+1 dhe dega Ekonomi Biznes  2+2 duke përdorur metoda të përparuara të mësimdhënies, për të fituar shprehi të mira të anës teorike dhe praktike për përgatitjen e menaxherëve të ardhshëm.

Një bashkëpunim të frytshëm ka pasur dhe me  Kultur-Contact  dhe  Swiss – Contact, që kanë dhënë kontributet e veta në fuqizimin e vazhdueshëm të mësimdhënies.

/portali DurresLajm/

 

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Përgjigjet e aplikimeve për lotarinë amerikane dalin sot.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bën të ditur se 12,766, prej tyre 3612 fëmijë shqiptar të lindur jasht

Popullsia e qarqeve edhe në vitin 2021 ka pësuar rënie në shumicën prej tyre, duke pasqyruar problematikën e fortë demografike, me rënien

Rritja e vdekshmërisë si pasojë e Covid-19, tendenca vijuese e rënies së lindjeve dhe emigracioni (që gjithsesi ishte më i ulët për shkak

“Me Fondin Social po mbështesim qendrat e kujdesit për implementimin e modelit të ri të fuqizimit të të rinjve me aftësi ndryshe për

Djali i aktorit të ndjerë Guljelm Radoja, Redi Radoja në një postim në rrjete sociale i ka dedikuar disa rrjeshta të atit që humbi betejë

Shpenzimet për arsimin arritën vetëm 2.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) gjatë vitit 2020, duke shënuar nivelin më të ulët të dy d

Pandemia Covid-19 e nxiti më tej përdorimin e drogës në vendet e Ballkanit Perëndimor, por masat kufizuese penguan përdoruesit e kokainës

Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar drejt Fushë-Krujës.