Këto ditë që flitet për tërmete të njëpasnjëshme të rëna në Durrës dhe Bulqizë si dhe për marrjen e masave për të ndihmuar banorët e dëmtuar me ndihma shtetërore apo nga organizatat jo qeveritare, në lagjen nr.13 të Durrësit, në një banesë në afërsi të ish-preventoriumit, spitalit të kockave, në zonën e Plepave, ka kohë që ka rënë tërmeti i dyfishtë. Ai i varfërisë ekstreme ku jeton një gjyshe me vajzat e veta dhe me 2 fëmijë të vegjël, po dhe me tërmetin real që ka hapur muret të cilat janë deformuar dhe gradualisht po shkojnë drejt shëmbjes. Ndërtesa është 85-vjeçare, pa asnjë kusht jetese brenda saj, era dhe shiu nuk mbahen dot dhe lagështira ka çarë tavanet dhe dritaret janë me korniza të kalbura dhe xhama të thyera.

Brenda këtyre mjediseve migjeniane jetojnë njerëz, që kur hyjnë në banesë nuk janë më të sigurtë nëse do të dalin gjallë. Kjo është një torturë e përditshme psikologjike dhe e përnatshme e familjes së Shpresa Gucit dhe një tjetër familje që jeton në katin e parë të këtij pallati rrënojë 85-vjeçare. Po shteti është i verbër ndaj fatit të tyre. Sikur presin që të ndodhë fatkeqësia e më pas të sensibilizohen për të ndihmuar kë ka arritur të shpëtojë. Në një kohë që fati i fëmijëve pa fëmijëri është në pikëpyetje. Shpresa thotë se u kanë premtuar para disa viteve për t’i strehuar, por ata deri tani janë në mëshirë të fatit që nuk dihet se çfarë surprizash u ka rezervuar.

Shpresa apelon për t’i ndihmuar sepse janë në ditë të hallit.

Pallati është në shëmbje e sipër. Edhe masat e dheut te kodrinës kanë lëvizur duke thërmuar strukturat e shkallëve, mureve të jashtme si dhe masiveve anësore prej betoni. Pamjet që po sjellim e tregojnë qartë këtë gjendje ku sot një fermer do të frikësohej të strehonte bagëtitë dhe jo më njerëzit. Dhe një gjë na fut ne dilemë për këtë rast.

Shteti është i verber për fatin e të këtyre banoreve të varfër dhe të rrezikuar apo bën sikur nuk sheh?!

K.H.