Dëmet që shkaktoi tërmeti i 21 shtatorit janë më të dukshme në banesat e vjetra, disa prej të cilave janë tashmë të pabanueshme. Një nga këto shtëpi ndodhet në fshatin Qerret, në njësinë administrative Katund i Ri, 18 km larg qytetit të Durrësit.

Mazllum dhe Servete Lashi janë në kushte mjaft të vështira; shtëpi e prishur dhe dimri që është përpara. Banesa e tyre mund të shembet nga çasti në çast, ndërkohë që e zonja e shtëpisë rrëfen përjetimet e saj ditën kur tërmeti shkundi godinën një katëshe.

Tashmë kur tronditja e ditëve të para ka kaluar, burrë e grua janë të shqetësuar për stinën e ftohtë. Para shtëpisë, ata kanë ngritur një çadër, por reshjet e para të shiut kanë nxjerrë në pah problemet e para.

Duke qenë banorë të fshatit, ata janë të lidhur fort me tokën dhe nuk mund të largohen për t’u strehuar te Kavalishenca në Durrës si shumë banorë të tjerë. Prodhimet bujqësore dhe blegtoria janë një arsye e fortë që të dy, burrë e grua, të qëndrojnë në këtë çadër të thjeshtë. Mazllumi kërkon që të bëhet diçka, pasi dimri nuk mund të kalohet në atë çadër. Nga llogaritjet paraprake mendohet se kostoja financiare për riparimin e dëmeve të tërmetit në bashkinë e Durrësit shkon në afro 4 milion euro.

Tërmeti la pas 1700 banesa të dëmtuara, ndërkohë që një pallat shumëkatësh dhe kati i dytë i një pallati tjetër në zonën e plazhit janë shpallur të pabanueshëm dhe banorët nuk lejohen të jetojnë aty.