Besimtarët ortodoksë në Durrës kanë ndjekur mëngjesin e të dielës meshën e mbajtur në kishën “Apostull Pavli dhe Shën Asti” për të kremtuar Pashkët.

Mesha do duhej të mbahej në mesnatë, por për shkak të kufizimeve prej pandemisë së COVID-19 ajo u zhvillua në mëngjes, ku besimtarët kryejnë ritualet e festës më të madhe të ortodoksisë, siç është ringjallja e Krishtit.

Festa e Pashkëve Ortodokse shoqërohet me vezën e kuqe, bukën e ëmbël, flakën e shenjtë dhe mishin e qengjit.

Vezët janë simbol i jetës, ndërsa ngjyra e kuqe simbolizon sakrificën e Jezu Krishtit, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës.

Pjesë tjetër e traditës së Pashkës Ortodokse është buka e pashkës, ku vendoset veza e kuqe në mes, e cila duke qenë e ëmbël shpreh kuptimin e ëmbëlsisë dhe lumturisë të cilat i përmbajnë fjalët e Zotit dhe lutjet e besimtarëve.