I akuzuar për ndërtim pa leje, 38-vjeçari përfundon në gjykatë.

“Nuk dhashë ryshfet tek adminsitrata dhe i plotfuqishmi për shtesën e shtëpisë”,– rrëfen ai për DurrësLajm.   

Kostas Manuka është prindi i tre fëmijëve të mitur dhe banon në Katund Sukth.  Ai është denoncuar nga autoritetet për ndërtim pa leje dhe për këtë akuzë pritet të dënohet nga gjykata e Durrësit, e cila ka marrë në shqyrtim çështjen ndaj tij. Manuka ka mbërritur nga Dibra për të ndërtuar një jetë të re në fshatin Katund Sukth.

Banesën e tij e ka përfunduar së ndërtuari në vitin 2005, pasi ka punuar për shumë vite në emigracion. Banesa e tij një katëshe është përmbytur disa herë vitet e fundit.

“Në fillim ndërtova një dhomë, pastaj e kam bërë shtesa-shtesa shtëpinë, e cila fuste lagështirë nga të katër anët. Gruaja u sëmur rëndë e për këtë arsye vajta e kërkova tulla e çimento borxh tek pikat e inerteve”,- tregon ai.

Bashkëshortja e tij, si rezultat i mykut që përfshiu të gjithë shtëpinë, është e sëmurë. 38-vjeçari tregon se punimet e katit të dytë i nisi para zgjedhjeve të qershorit, ndërsa në të gjithë zonën po ndërtohej. Ai thotë se taraca ishte e gjitha në lagëshirë, ndërsa mureve të shtëpisë u kishte rënë suvaja e nuk mund të jetohej më brenda tyre.

Fotografitë e suvasë së rënë të mureve dhe taracës, do t’ia japë si provë gjykatës, për t’i ulur masën e gjobës që mund të marrë e të cilën nuk ka me çfarë ta paguajë.

“Nuk dhashë ryshfet tek autoritetet vendore dhe ato të policisë dhe ata më proceduan. Ata që dhanë nga 500 deri në 1000 euro nuk u proceduan. Unë me para borxh i mora materialet e ndërimit se për të punuar punoja vetë. Unë që nuk dhashë para më bllokuan punën e më sollën në gjykatë, ata që dhanë i bënë ndërtimet e po i gëzojnë”,- thotë 38-vjeçari.

“I plotfuqishmi i zonës më ndaloi kur unë e mbarova ndërtimin në 27 qershor 2017”,- thotë ai më tej.   

Manuka thotë se pret që të dënohet nga gjykata, sepse nuk kishte marrë leje në bashki, por nuk harron të hedhë akuza të drejtpërdrejta tek autoritetet vendore dhe tek të plotfuqishmit e policisë së Sukthit, pasi sipas tij procedimet bëhen selektive, vetëm tek ata që nuk paguajnë.

“Asnjëherë nuk kam patur mundësi që ta coj gruan për vizita tek mjekët. E di që vuan, por nuk mundësi financiare ta vizitoj”,– thotë kryefamiljari.

Në fshatin Katund Sukth janë përmbytur dhjetëra, në mos qindra banesa gjatë viteve të fundit, si rezultat i daljes nga shtrati të lumit Erzen. 

K.H.