Qendra shqiptare për kërkime ekonomike, me mbështetjen e UNICEF, ka prezantuar projektin “Hartimi dhe zbatimi i një plani veprimi për ndryshimin e qëndrimeve të prindërve dhe publikut të gjerë për pjesëmarrjen e fëmijëve romë dhe egjiptianë në shkollë”.

Nën moton “Shkolla ime, shkolla jote” synohet të ndërgjegjësohen prindërit, mësuesit dhe vetë nxenesit, jo vetëm për rëndësinë e mësimdhënies, por edhe për trajtimin e barabartë të të gjithë fëmijëve.

Në fokus të punës do të jenë fëmijët romë dhe egjiptianë, të cilët frekuentojnë shkollat “Eftali Koçi, “Isuf Ferra” dhe “Kushtrimi i lirisë”.

Jo pa qëllim është menduar që takimet të realizohen në mjediset e tyre, për t’u njohur më nga afër me problematikën e këtij komuniteti.

Ofrimi i bursave dhe mundësia e organizimit të kurseve profesionale për këta fëmijë ishin dy nga kërkesat që u parashtruan nga pjesëmarrësit gjatë prezantimit të këtij projekti.

Aktualisht janë 17 nxënës të klasës së tetë dhe të nëntë, që i frekuentojnë këto kurse. Ky projekt do të finalizohet në muajin maj të vitit të ardhshëm. 

K.H.