Durrës, përfundon programi ReLOaD, të rinjtë prezantojnë rezultatet e 10 anketave në komunitetet e tyre (FOTO)

09/07/2019 - 08:09

Pas një pune të gjatë rreth 11 mujore, 25 të rinj të njësive administrative Katund i Ri dhe Manëz bënë publike rezultatet e pyetësorëve që ata zhvilluan në komunitetet ku jetojnë. Rezultatet e 10 mini-projekteve që ata zbatuan në zonën e Manzës, Katundit të Ri dhe Jubës nxorrën në pah problematikat e këtyre komuniteteve dhe nevojat bazike të banorëve, sidomos në drejtim të infrastrukturës, shërbimit shëndetësor, furnizimit me ujë të pijshëm, mungesën e qendrës kulturore në Manëz apo nevojën për përmirësimin e infrastrukturës dhe hapësirave sportive në shkollën e mesme të kësaj njësie administrative.

Për gati 1 vit, këta të rinj u bënë pjesë e projektit “Forcimi i demokracisë rurale përmes hulumtimit dhe advokacisë”, që u zbatua nga Qendra e Zhvillimit të Shoqërisë Civile (CSDC), në kuadër të Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor (ReLOaD), financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Në takimin e organizuar për të prezantuar rezultatet e pyetësorëve, ishin vetë të rinjtë e Manzës dhe Katundit të Ri që bënë publike rezultatet e iniciativave të ndërmarra në komunitetet e tyre dhe njëkohësisht bënë avokatin mbrojtës për konkluzionet e pyetësorëve para përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.

Nga konkluzionet e prezantuara në takim dilte në pah fakti se problematikat e zonave rurale të Durrësit janë të shumta dhe adresimi i tyre në formën e duhur pranë organeve të pushtetit vendor apo institucioneve shtetërore mund të japë një shtysë për zgjidhjen apo përfshirjen e disa prej tyre në buxhetin afatshkurtër apo afatmesëm të bashkisë.

Në përfundim të takimit, koordinatorja e projektit, Livia Kreko, pasi falenderoi të rinjtë për punën e madhe të bërë prej tyre dhe përkushtimin e treguar përgjatë gjithë javëve të angazhimit në këtë projekt, deklaroi se përmes një letre zyrtare, do t’i adresohen të gjitha problematikat bashkisë Durrës dhe në kontaktet e mëvonshme do të kërkohen afatet kohore për realizimin e tyre në praktikë.

Ndërkohë, drejtuesja e CSDC Durrës, Mirjam Reçi, theksoi gjatë fjalës së saj se përkushtimi dhe vullneti i treguar nga 25 të rinjtë pjesë e projektit si dhe angazhimi i tyre për të dhënë një kontribut sado modest në komunitetet ku jetojnë dëshmojnë se në Shqipëri ka ardhur koha që moshat e reja të bëhen pjesë e Shoqërisë Civile.

Programi ReLOaD synon të zvogëlojë hendekun midis zonave urbane dhe rurale në bashkinë Durrës duke fuqizuar të rinjtë që jetojnë në fshatra.

Rezultatet e disa prej pyetësorëve të zhvilluara nga të rinjtë:

Niveli i shërbimit të ujit të pijshëm në njësinë administrative Katund i Ri-  morën pjesë 209 të anketuar, nga këta 48% femra dhe 52% meshkuj. 41% e të anketuarve deklarojnë se nuk furnizohen me ujë të pijshëm; 20% e blejnë me autobot, 33% furnizohen nga pusi që kanë në shtëpi. 44% e tyre deklarojnë se nuk e përdorin për të pirë ujin që u vjen në shtëpi dhe nuk janë aspak të kënaqur nga cilësia e ujit

Niveli i shërbimit social në njësinë administrative Katund i Ri   -  morën pjesë 99 të anketuar, nga këta 39.4% femra dhe 60.6% meshkuj. 49.5% e të anketuarve deklarojnë se kanë të ardhura mujore 30.000-50.000 lekë. 60.6% pohojnë se në familjen e tyre është i punësuar të paktën një person. Vetëm 6.1% e të anketuarve e dinë që personi që punon është i siguruar. 12.1% e tyre deklarojnë se familja e tyre përfiton ndihmë ekonomike.

Përmirësimi i shërbimit të transportit publik në njësinë administrative Katund i Ri    -  morën pjesë 209 të anketuar, nga këta 49.3% femra dhe 50.7% meshkuj. Përgjithësisht banorët kanë dhënë vlerësim pozitiv për infrastrukturën rrugore në zonën e tyre. 61.2% shprehen shumë të kënaqur, ndërkohë që ka problematika përsa i përket cilësisë së asfaltit, gjerësisë së rrugëve apo kanalizimeve anash tyre. 55% deklarojnë se barrierat janë shumë të dobëta, ndërsa pengesat për uljen e shpejtësisë i shohin si gjë pozitive.

Niveli i shërbimit shëndetësor në njësinë administrative Manëz  -  morën pjesë 200 të anketuar, 49.5% femra dhe 50.5% meshkuj. 58.5% vlerësojnë se qendra shëndetësore nuk i ka të gjitha mjetet e nevojshme për të ofruar shërbimin e kërkuar. 30.5% pohojnë se mungojnë pajisjet dhe ilaçet, 37.5% pohojnë se mungojnë shumë aparatura. Ndërkohë, 38.0% thonë se qendra është e pisët, ndërsa 27.5% thonë se është gjithnjë pastër.

Një qendër kulturore për të rinjtë në Manëz   -    morën pjesë 38 nxënës, 60.5% femra dhe 39.5% meshkuj. 36.8% e kalojnë kohën e lirë duke ndihmuar familjet e tyre. 39.5% e nxënësve i zhvillojnë festat në ambiente private në raste festash, 39.5% i zhvillojnë në shkollë, 60.5% e nxënësve deklarojnë se fëmijët përgatiten në shkollë gjatë orarit mësimor për provat e aktiviteteve.

Përmirësimi i infrastrukturës së shkollës e mesme të bashkuar “Manëz”    - morën pjesë 107 të anketuar, 58% femra dhe 42% meshkuj. 35% e vlerësojnë infrastrukturën e shkollës Disi mirë, 30% E keqe dhe 26% Shumë e mirë. 34% e të anketuarve mendojnë se disa klasa janë të përshtatshme, 24% deklarojnë se shumica e klasave nuk kanë kapacitetet e nevojshme dhe kanë lagështirë, 31% thonë se klasat nuk janë të pajisura me ngrohje dhe 18% deklarojnë se shumë pak klasa kanë ngrohje. 44% mendojnë se biblioteka e shkollës është e varfër në libra.

M.B.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Krevatë, batanije, ushqime dhe veshmbathje për familjet e dëmtuara nga tërmeti në njësitë administrative të bashkisë Durrës.

Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, shoqata e të verbërve në Durrës ka kërkuar më shumë vëmendje nga qeveria dhe me shumë aksesu

Program Kombëtar për depistimin e kancerit të gjirit, me vendosjen e mamografisë së detyrueshme për gratë mbi 50 vjeç”.

15 tetori është caktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si Dita Ndërkombëtare e Ecjes

Një skenë aspak e zakontë ka ndodhur në mes të Tiranës, ku protagonistja ka qenë një femër.

Rreth 1800 studentë të programeve Bachelor dhe Studimeve Profesionale nisën vitin e ri akademik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durr

Këtë të hënë, universitet në mbarë vendin nisin vitin e ri akademik 2019-2020.

Imam Tahir Kukaj i qendrës Islamo-Kulturore në Staten Island të Nju Jorkut, ka tani një detyrë të re.

Ka përfunduar edicioni i katërt i Maratonës së Tiranës, e cila është dominuar sërish nga sportistët kenian, që kanë qenë fitues të gjysmë

Ata jetojnë në kushte ekstreme varfërie, humbja e njeriut të zemrës e ka lënë nënën 35-vjeçare me dy fëmijët e saj në kushte të vështira