Në bashkinë e Durrësit është zhvilluar takimi në kuadër të përmbylljes së Fushatës Ndërgjegjësuese kundër kancerit të gjirit, organizuar nga NJVKSH-Durrës, Drejtoria Rajonale e OSHKSH, Drejtoria Rajonale e FSDKSH-së, Spitali Rajonal Durrës dhe Bashkia e Durrësit. Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin kryetarja e Bashkisë Durrës Emirjana Sako, prefekti Roland Nasto, deputetja Klodiana Spahiu, drejtoresha e spitalit Nadire Jani, drejtoresha e FSDKSH-së Natasha Paço, mjeku Kristaq Huta nga shoqata Ryder Albania, si dhe aktorë të tjerë që kanë marrë pjesë në këtë fushatë sensibilizimi. 

Gjatë takimit u theksua rëndësia që ka bashkëpunimi ndërinstitucional për të rritur nivelin e ndërgjegjësimit mbi diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Në fjalën e saj kryebashkiakja Emiriana Sako, theksoi se ne kemi dëshmuar se me punë të palodhshme dhe me përkushtim mund të tejkalohen shumë sfida, mund të parandalohen shumë sëmundje, vetëm nëse ato zbulohen me kohë dhe e vetmja mënyrë për zbulim të hershëm është kontrolli i rregullt mjekësor, që duhet të bëhet pjesë e kulturës tonë jetësore për jetë të shëndetshme: 

“Ne individualisht por edhe si shoqëri e institucione çdo ditë duhet të dëshmojmë përkujdesje dhe mbështetje për të gjithë të prekurit nga kanceri dhe për familjet e tyre. Në vëmendjen tonë kanë qenë plotësimi i nevojave të çdo individi, veçanërisht i grave, fëmijëve, duke ofruar shërbime, që ndikojnë në ruajtjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Kemi qenë nxitës e mbështetës me punonjësit e shëndetësisë duke i formalizuar bashkëpunimet në lidhje me kujdesin e shëndetit për gruan dhe fëmijën. 

Vëmendja dhe qasja ime si dhe e institucionit që unë drejtoj ka qenë dhe është ofrimi dhe zgjerimi i shërbimeve për gratë dhe fëmijët duke i bërë pjesë në buxhet në lidhje me kujdesin ndaj grave dhe fëmijëve.

Duhet të tregojmë vendosmëri në ngritjen e vetëdijes për rrezikun nga kjo sëmundje me qëllim që të gjithë qytetarët të njoftohen me simptomat, me kushtet e trajtimit në institucionet shëndetësore si dhe me mundësinë për jetë normale dhe me dinjitet. Lufta me kancerin e gjirit, është luftë e jona e përbashkët.”

Në takim u theksua se komunikimi pacient-mjek familje, mjek specialist merr po të njëjtën rëndësi kur diskutohet për sëmundje të tilla, të cilat mund të parandalohen nëse zbulohen në kohë.

Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, fokusi i NJVKSH-së gjatë gjithë muajit ka qenë në sensibilizimin dhe informimin e qytetarëve në rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.