Famullia “Shën Dominiku” dhe Vatra Biblike Katolike organizuan të dielën në qytetin e Durrësit, sipas nismës së Atit të Shenjtë, Papa Françesku, Meshën e së “Dielës së Fjalës”.

Të pranishëm në meshë kanë qenë dhe Nunci Apostolik, Pater Bernard Caruana O si edhe themeluesi i Vatrës Biblike, Át Flavio Cavallini O.F.M.

“Jemi ftuar në një gëzim të veçantë, një gëzim që është dhuratë e Papa Françeskut. Kjo festë në qendër të saj ka Biblën. Sot ne gëzojmë, falënderojmë Zotin, gjithmonë në çdo eukaristi është kështu, por sot është një ditë më e veçantë për fjalën e Zotit, që konkretizohet nëpërmjet Librit të Shenjtë, Biblës. Gërmat e shkruara në këtë libër janë mjeti i komunikimit që Zoti flet me ne. Është mënyra më e gjatë dhe mënyra më e vjetër me anë të së cilës Zoti na komunikon”, tha Át Flavio.

Kryefjala ishte fokusimi te fjala dhe rëndësia e përhapjes së saj, teksa At Flavio vuri në dukje: “Duke falënderuar ata që ndihmojnë të përhapet fjala, katekistët, ata që lexojnë në Kishë por edhe dëgjuesit. Fakti që është i pranishëm Imzot Charles John Brown na ndihmon të kuptojmë rëndësinë e kësaj dite.”

Aktiviteti pasoi gjatë pasdites në shkollën “Vinçens Prendushi”, ku u diskutua për problematikat e ditës e jo vetëm, përmes kumtimeve interesante, interpretimeve artistike e muzikore, si dhe për vlerat e librave të dalë së fundmi nga iniciativa e Vatrës Biblike Katolike.

Secili prej të pranishmëve u ndal te Durrësi si qytet me rëndësi të madhe për vendin. Qytetarët durrsakë përshëndetën nga ana e tyre dhe premtuan se do t’i qëndronin pranë qytetit me të gjithë veprimtarinë.

Kujtojmë se Vatra, ka qenë mjaft aktive, në ndihma e asistencë njerëzore në zonat e prekuara nga tërmeti, në Thumanë e sidomos në Kepin e Rodonit, Bizë, ku zhvillon aktivitetin e saj një bijëz e VBK, pikërisht për të jetësuar formën më të lartë të mbështetjes e dashurisë, Durrësi u zgjodh lokacioni i festës zyrtare të Vatrës.