Kur kanë kaluar rreth 2 muaj e gjysëm nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit, një histori e dhimbshme ka mbërritur në redaksinë e DurrësLajm.

Kryefamiljari Bujar Karraçi, nga Kruja, është i detyruar të jetojë në shtëpinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti, pasi nuk ka asnjë vend tjetër ku të fusë kokën. Autoritetet vendore i kanë dhënë vetëm një çadër verore, e cila shpeshherë është rrëzuar nga era gjatë netëve, ndërsa nuk i mbron aspak nga i ftohti i dimrit.

Familja me 7 anëtarë, që në përbërje të saj ka dy prindërit e moshuar të Bujarit, nusen e tij, Elenën, si dhe 3 fëmijët e mitur 5 dhe 4 vjeç si dhe foshnjen 5 muajshe i ngrys netët në shtëpinë e dëmtuar rëndë nga tërmeti.  

Në pamjet filmike duket qartë se 3 fëmijët e mitur flenë mes mureve të çara të shtëpisë së dëmtuar rëndë dhe që mund t’u rrezikojë jetën nëse regjistrohet ndonjë tërmet tjetër i fortë.

Bujari rrëfen se deri tani ka aplikuar dy herë për bonusin e qirasë, por ende nuk e ka përfituar atë.

Kryefamiljari thotë se shtëpia është shpallur e pabanueshme, por për shkak të të ftohtit ai detyrohet së bashku me prindërit dhe fëmijët e mitur të rikthehet aty, pasi nuk ka asnjë vend tjetër ku të strehohet. Gjatë netëve, Bujari dhe e shoqja detyrohen t’i shtrijnë përtokë të vegjlit e tyre dhe mundohen t’i ngrohin vetëm me batanije. Në shtëpinë e çarë nga të gjitha anët, era depërton ngado.

Kryefamiljari apelon për ndihmë, pasi e ka të pamundur të vijojë të jetojë në kushte të tilla ekstreme, për më tepër që shëndeti i tre fëmijëve të mitur rrezikohet nga temperaturat mjaft të ulta.

Megjithëse autoritetet patën deklaruar se të gjitha çadrat verore do të zëvendësoheshin nga ato dimërore, kushtet mjaft të vështira në të cilat jeton familja Karraçi dëshmojnë realitetin e trishtë që jetojnë çdo ditë banorët e mbetur pa shtëpi nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit 2019.

M.B.