Familja Ajazaj nga Shqipëria, e cilësuar si shembull i integrimit të suksesshëm në Gjermani, vetëm 1 javë më parë ishte bërë temë në mediet gjermane. 

Nga 11 tetori Xhezo Ajazaj me gruan dhe tre fëmijët që jetojnë prej tri vitesh në Berlin, kanë jetuar nën ethet e kthimit, shkruan “albinfo.ch”.

Pasiguria që i priste në rast kthimi në Shqipëri, ku, siç shkruan bild.de “nuk kishin asgjë”, i shoqëronte ata ditë e natë.

Por çështja duket se ka marrë një kthesë pozitive për Ajazajt. Senatori (ministri) i Brendshëm i landit Andreas Geisel ka shprehur gatishmërinë që të ndërhyjë. Ai ka vendosur që çështja të rishikohet dhe të rivendoset.

Fqinjët, të njohurit dhe mediet, duke bërë fjalë për Ajazajt shprehnin shqetësimin përse “pikërisht ata” duhej të dëboheshin. Dhe shqetësimi ishte i bazuar pasi që, siç ka thënë edhe shefi gjerman i kompanisë ku punon Xhezo, “shqiptari i tij” punonte sa për tre veta.

Senatori Geisel, më 11 tetor kishte vendosur për dëbimin e familjes ndërsa tash, ai ka ndryshuar qëndrimin dhe, së paku hë për hë, Ajazajt mbeten në Gjermani.