Nga Gëzim Kabashi

Fatos Baxhaku shkoi. Qetësisht, si çdo gjë që bëri në jetën e tij.

Edhe këtë herë i befasoi shokët e miqtë e shumtë me modestinë ekstreme.

Njëlloj si kur ne kolegët gazetarë kishim nevojë për fjalën e tij, dhe nuk kuptohej mirë se kush mësonte sho-shoqin.

Kështu ishte gatuar Fatosi.

I mirë e i butë, dinte të ishte mirënjohës për gjithçka.

Si rrallë kush, në fund të dokumentarëve dhe reportazheve të pafund që ka firmosur, kishte falenderime të ndjera dhe emër për emër për të gjithë ata që kishin kontribuar apo ndihmuar sadopak në realizimet e tij.

I vlerësonte kolegët që punonin në grup dhe po ashtu i mjaftonte një bisedë e shkurtër për tua përcjellë mesazhin që kërkonte.

Preferonte të fliste në telefon, edhe kur donte të uronte për festa.

“Nuk shkruaj dot mesazhe”   –thoshte me zërin e thellë e miqësor.

Megjithëse rrallë, edhe në Durrës vinte me aparatin e pandarë fotografik për të fiksuar më së shumti njerëz.

Njerëz të moshave të ndryshme, shumica të panjohur më parë, që e deshën sapo  nisnin bisedën me të, si zakonisht me një gotë përpara dhe me shumë jetë, nga ajo e vërteta, brenda saj.

Dhe Fatosi ishte mjeshtër i madh për ti përcjellë ndër rreshta hallet dhe mirësinë e njerëzve.

Një mjeshtër i madh, nga ata pak të vërtetët, që do të na mungojë shumë. Një njeri i jashtëzakonshëm, edhe në vdekjen e vet, Fatos Baxhaku nuk i lejon fjalët të shkruhen lirshëm.

Dhe po ashtu të ndihmon të kuptosh se edhe ai vetë ndjehej njëlloj kur largohej nga jeta një shok apo një mik i përbashkët.

Tamam, siç më shkruante 10 vjet më parë, më 14 korrik 2009:

“Gzimo, po të nis shkrimin që sapo dërgova në redaksi për doktor Benin e mirë.

Nuk ka nevojë të të shkruaj se sa shume më hidheroi lajmi i humbjes së tij, kështu që edhe të shkruaja nuk e pata të lehtë.

Sigurisht që ai meritonte shumë e shumë më teper se sa kaq, por nganjëherë – ti e di dhe vetë – një humbje e madhe të gozhdon para kompjuterit pa ditur se ç'të shkruash më pare”.

Asnjë fjalë më shumë se sa  këto të tuat, për të ta përshkruar dhimbjen që ndjej, miku im Fatos Baxhaku.

Të Qoftë Dheu i Lehtë!