Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt 2019, Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt e CRCA Shqipëri, Platforma Kombëtare për Sigurinë e Fëmijëve në Internet www.ISIGURT.AL në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Child and Youth Policy Hub, AKEP, ECPAT Shqipëri, AITA dhe ABCOM organizuan Forumin Kombëtar për Sigurinë në Internet. Në këtë forum u prezantua për herë të parë, RaportiKombëtar “Krime pa Ndëshkim” mbi situatën e sigurisë së fëmijëve në internet, i cili është bazuar në raportimet e vetë fëmijëve dhe të rinjve pranë platformës kombëtare www.ISIGURT.AL. Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, e hapur që prej vitit 2016 dhe deri më sot ka mbledhur të gjitha të dhënat e raportimeve të fëmijëve dhe adoleshentëve, të cilët janë rrezikuar nga përdorimi i internetit të pasigurt.

Gjatë vitit 2016-2018 pranë Platformës Kombëtare www.ISIGURT.al janë raportuar mbi 200 raste të fëmijëve dhe të rinjve, nga të cilat 136 prej tyre janë raste të ekspozuar në internet me imazhe të papërshtatshme dhe gjuhë urrejtje, ngacmim seksual, psikologjik dhe fyerje, vjedhje identiteti apo edhe pornografi. Mosha e prekur si shkak i internetit të pasigurt janë grupmoshat nga 11-18 vjeç, ku ndër më e ekspozuara është grupmosha 15-17 vjeç nga të cilët. Rreth 46% e raportimeve janë djem, ndërsa 43% e tyre janë vajza të cilat kërkojnë ndihme të menjëhershme pranë pratformës ISIGURT.AL. Platformat kryesore për të cilat fëmijët dhe adoleshentët kanë paraqitur pasiguritë e tyre janë Instagrami, i cili mban edhe vendin kryesor, duke u pasuar me YouTube, e më pas mesazhet në faqe të ndryshme shqiptare dhe Facebook.

Drejtori i Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri i CRCA Shqipëri, z. Altin Hazizaj tha se referuar të dhënave të Raportit “Krime pa Ndëshkim” duhet gjetur patjetër një zgjidhje me industrinë e internetit për sigurinë e fëmijëve dhe të rinjve në internet por edhe me institucionet shtetërore për rruget ligjore për përmbajtet e papërshtatshme në internet.

Referuar situatës, znj. Adriana Jaku – Zv/ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se Ministria e Shëndetësisë ka gati një Vendim për Këshillin e Ministrave që rregullon të gjithë procedurën se çfarë duhet të ndodhë me një fëmijë që të jetë i sigurt përgjatë navigimit në internet, ku dhe CRCA ka dhënë inputet e saja. 

Përgjatë fjalës së tij këshilltari i Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë z. Oerd Bej, u shpreh se siguria e fëmijëve në internet është në fokus të MASR, ku në kurrikulën e re që në klasën e katërt tashmë adresohen çështjet e cyber security dhe internetit të sigurt për të ndërgjëgjësuar fëmijët që në moshë të hershme. 

Komisari i Sektorit për Krimet Kibernetike në Policinë e Shtetit z. Hergis Jica  përgjatë fjalës së tij e vendosi theksin kryesisht tek rëndësia që duhet t’i kushtohet bashkëpunimit të ngushtë mes organizatave të fëmijëve, shkollave dhe policisë për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet që ofron navigimi në internet. 

Sipas z. Jorgo Çipa përfaqësues i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP prej vitit 2015 ka hartuar një Rregullore të re ku ka anashkaluar disi nenin 2 të Ligjit 9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë“ në të cilin përcaktohet se AKEP duhet të merret më tepër me strukturën e rrjetit sesa me përmbajtjen e tij. Bazuar në këtë rregullore, AKEP po merr masa teknike për sigurinë duke i kushtuar kështu një rëndësi të madhe përkrah strukturës edhe kontentit, përmbajtjes së informacionit për ti bërë rrjetet sa më të sigurta për të gjithë.