Një nga problemet më të mëdha që evidentohet së fundmi në shoqërinë tonë, është rritja e përdoruesve të drogave, ku më të ekspozuarit janë të rinjtë. Moshat e reja, veçanërisht adoleshentët, janë përdoruesit me përqindjen më të madhe në përdorim, duke ngritur një alarm për të gjithë.

Një grup me adoleshentë janë filmuar sot në një nga rrugicat mes pallateve, fare pranë qendrës së Durrësit, te sheshi “Liria”, duke tymosur hashash. Mosha e tyre nuk kalonte 14-15 vjeç, dhe në një orar kur duhej të ishin ende në shkollë, ata kishin braktisur orët e mësimit, për të tymosur shkallëve të pallatit, ku dalin banorë e familjarë.

Era e kanabisit e përhapur në zonën në fjalë, ka shqetësuar qytetarët, të cilët i kanë filmuar me qëllim publikimin e këtij fenomeni shqetësues.

DurrësLajm” i ka sfumuar portretet e tyre, pasi nuk është qëllimi ynë ekspozimi i adoleshentëve në fjalë, por sensibilizimit të shoqërisë dhe sidomos të rinjve konsumatorë të drogave, të lehta a të forta qofshin ato.

Nuk është i vetmi rast, pasi të gjithëve u ndodh që të kalojnë në rrugica të Durrësit, jo fort të frekuentuara nga njerëzit, dhe të shohin adoleshentë apo edhe të rinj në moshë më madhore që tymosin kanabis, duke lënë pas një erë të rëndë. E këto raste, sa vijnë e shtohen me kalimin e kohës.

Shqipëria ka hyrë në një trend të rritjes së përdoruesve të kokainës, fakt i cili është shumë i dukshëm dhe nga shifrat që janë publikuar. Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, për periudhën 2011-2015 ka pasur një rritje në përqindje të përdoruesve gjatë jetës për pothuajse të gjitha drogat ilegale, nga 13.3 për qind në 15.3 për qind për grup moshën 14-65 vjeç.

Kokaina është droga e dytë që ka pasur rritje të lartë të përdoruesve me 2.3 herë nga 2011-a, ku rritja ishte 1.6 për qind në 3.7 për qind në 2015-n. Rritje të përdoruesve ka pasur edhe grupi i inhalaneteve, të cilat janë përzierje e drogave të jashtëligjshme që merren me anë të tymosjes.

Në “Raportin Vjetor Global Të Drogave” për vitin 2017, publikuar në qershor nga Zyra për Drogën dhe Krimet e Kombeve të Bashkuara, krahas prodhimit dhe trafikimit, raporti jep alarmin se substancat narkotike po përdoren gjerësisht nga të rinjtë shqiptarë. Shqipëria rezulton si vendi që ka përdoruesit vjetorë më të lartë të përdorimit të kokainës në botë, sipas një harte interaktive po të UNODC.

Si nga shteti, shoqëria dhe deri te familja ky është një problem që i prek të gjithë, e me këshillimin e sensibilizimin e duhur, duhet të bëhen përpjekje maksimale për ta ndaluar këtë fenomen shqetësues, që ndikon drejtpërdrejt dhe rrezikon jetën e të gjithë atyre që e konsumojnë.

S.L.