Famullia “Shën Dominiku” dhe Vatra Biblike Katolike  organizojnë sipas nismës së Atit të Shënjtë, Papa Françesku, më 26 janar 2020, në qytetin e Durrësit, “E DIELA E FJALËS SË ZOTIT”.

Aktiviteti nis me Meshën e Shenjtë në Famullinë “Shën Dominiku” në orën 9.00, për të vazhduar me një takim të hapur me lektorë, katolikë, ortodoksë e protestantë rreth doktrinës, mesazheve, vlerave të bamirësisë, të cilat e bëjnë edhe më cilësore jetën në komunitet.

E diela e tretë e janarit, simbolizon gjithashtu edhe Ditën e Vatrës Biblike Katolike, një shërbim dioqezan, në përbërje të të cilës janë grup mosha të ndryshme të qyteteve Tiranë e Durrës. Pikërisht Durrësi u përzgjodh për festimin e datës kombëtare të saj.

I pranishëm do të jetë edhe Nunci Apostolik, S.E. Monsinjor Charles John Brown, i cili do të kremtojë Meshën e Shenjtë, shoqëruar nga Dekani i Durrësit Atë Bernard Caruana e drejtuesi i Vatrës Biblike Katolike, Atë Flavio Cavallini, si dhe në takimin e pasdites, së bashku me personalitetet e pushtetit lokal e personalitete të kulturës e artit qytetas.

Në orën 16.00, Dita e Vatrës do të kremtohet në Shkollën “Át Vinçenc Prennushi ” – Aula Magna, ku do të flitet për problematikat e ditës e jo vetëm, përmes kumtimeve interesante, interpretimeve artistike e muzikore, si dhe për vlerat e librave të dalë së fundmi nga iniciativa e Vatrës Biblike Katolike. Takimi është i hapur për interesin e publikut.

Kujtojmë se Vatra, ka qenë mjaft aktive, në ndihma e asistencë njerëzore në zonat e prekuara nga tërmeti, në Thumanë e sidomos në Kepin e Rodonit, Bizë, ku zhvillon aktivitetin e saj një bijëz e VBK, pikërisht për të jetësuar formën më të lartë të mbështetjes e dashurisë, Durrësi u zgjodh lokacioni i festës zyrtare të Vatrës.