Nën drejtimin e pedagoges Dr. Lindita Lutaj, Departamenti i Pedagogjisë në Fakultetin e Edukimit, organizoi në “Shtëpinë e të Moshuarve” në Kavajë aktivitetin me temë: “Qytetaria dhe përfshirja e të rinjve në veprime qytetare, domosdoshmëri për zhvillimet demokratike në vend”.

Veprimtaritë në ndihmë të shtresave në nevojë janë bërë traditë e përvitshme në UAMD. Aktiviteti përfshiu prezantime të punimeve shkencore të studentëve. Në prezantimet e tyre studentët trajtuan probleme si “Arsimi dhe globalizmi”, “Zhvillimi i edukimit qytetar në vendin tonë”, “Kurrikula e lëndës së edukatës shoqërore në Shqipëri”, “Realizimi i edukimit qytetar demokratik në Shqipëri”, etj. Në aktivitet morën pjesë rreth 130 studentë të Masterit Profesional “Arsim Fillor” dhe studentët e vitit të III-të dega Mësuesi për Arsim Parashkollor. Studentët shtruan një kokteil për të moshuarit dhe iu shpërndanë atyre pako me ndihma në veshje dhe ushqime.

Të rinjtë u munduan të krijojnë një mjedis të ngrohtë me qëllimin që të moshuarit të ndjeheshin të vlerësuar dhe të respektuar prej tyre. Të moshuarit u shprehën të lumtur nga prania e studentëve. Tingujt e fizarmonikës së një të moshuari të verbër ngjallën emocione të jashtëzakonshme te studentët.

Aktiviteti u përshëndet edhe nga përfaqësues të Bashkisë Kavajë, si dhe nga drejtori i shtëpisë së të moshuarve z. Fisnik Krasniqi, i cili falënderoi studentët për pjesëmarrjen në këtë aktivitet, për ndihmën dhe kontributin e tyre. “Këta të moshuar kanë nevojë për mbështetje, por mbi gjithshçka kanë nevojë shumë dashuri dhe ngrohtësi”, u shpreh ai.

Ky aktivitet nuk është i vetmi i këtij lloji që është ndërmarrë nga UAMD. Përveç sensibilizimit për të qenë pranë shtresave në nevojë, veprimtari të tilla shihen si një mundësi për përgatitjen e të rinjve për veprime qytetare, për pjesëmarrje aktive dhe kontribut në zhvillimet demokratike në vend.