Në kuadër të Vitit Europian të Trashëgimisë Kulturore dhe “Ditës Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim”, në datë 21 maj 2018, Departamenti i Pedagogjisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” organizoi aktivitetin “Muzika si një instrument i identitetit dhe trashëgimisë kulturore”.

Aktivitetin e përshëndetën përgjegjësja e Departamentit të Pedagogjisë, Dr. Katerina Cycja, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Jani Sota, si dhe Drejtori i Arsimit dhe Kulturës pranë Bashkisë Durrës Z. Ardian Gurra.

Lektorja Mira Zhiti bëri një prezantim interaktiv të Modulit Edukimi Muzikor. “Muzika është një formë komunikative komplekse dhe “globale”: përmban dhe përcjell një numër të pafundmë kuptimesh, sepse ajo është e lidhur ngushtë me imagjinatën dhe mendimin, e lidhur kështu me të gjithë sferën ekzistenciale të njeriut. Këtu qëndron fuqia e saj dhe rëndësia e tij edukative: nëpërmjet përvojës muzikore është e mundur të zhvillohen aftësi trupore, motorike dhe perceptuese, si p.sh. mundësia për të njohur dhe përdorur në të mirë kapacitetet ndijore, emocionale dhe relacionale. Muzika dhe tradita popullore autoktone përbën një shprehje te fuqishme të këtyre vlerave”.

Gjatë këtij evenimenti studentët performuan valle dhe recituan poezi. Në aktivitet u ekspozuan gjithashtu vegla të ndryshme muzikore nga Fondi i trashëgimisë sonë shqiptare. Të pranishmit patën mundësi të shijonin gatime tradicionale të kulinarisë shqiptare nga treva të ndryshme të vendit, të përgatitura nga studentë të Masterit Profesional në Arsim Parashkollor.