Nga Gladiola Jorbus

Mësimdhënia dhe të nxënit janë procese komplekse dhe të vështira. Profesioni i mësuesit mbart problematika, devocion, por edhe kënaqësi.

Arsimi luan një rol të rëndësishëm në jetën e njeriut. Integriteti i një shoqërie është rezultat i drejtpërdrejtë i një sistemi arsimor cilësor. Synimi kryesor është arritja e zhvillimit etik, intelektual, fizik, social dhe estetik të nxënësit, në mënyrë që të jetë i aftë të mësojë gjatë të gjithë jetës, të mendojë në mënyrë të pavarur, kritike e krijuese, t’u përshtatet ndryshimeve, të ketë vetëbesim e shpirt bashkëpunimi dhe të jetë i gatshëm të ofrojë përpjekjet e tij për mirëqenien, përparimin, lirinë e demokracinë e vendit e më gjerë. Ky është njëkohësisht dhe misioni i sistemit arsimor.

Një nga psikologët më të dëgjuar bihejvioristë XH. Watson thotë: “Më jepni një dyzinë fëmijësh të shëndetshëm dhe unë ju garantoj se do t’ju jap edhe mjekë, edhe filozofë, por edhe punëtorë të thjeshtë, edhe tregtarë”. Kjo tregon më së miri rolin e madh që ka mësuesi në edukimin e një njeriu të devotshëm për një shoqëri në zhvillim.

Dialogu në shkollë është një fillesë e mbarë për operacionet e përbashkëta, për të nxitur të menduarit kritik dhe për të kultivuar nocionin e rëndësishëm të bashkëpunimit tek ata, ndaj shkolla duhet të jetë si një familje e madhe, ku të gjithë nxënësit të promovohen njëlloj. Në funksion të një pune të suksesshme, mësuesit shpesh ngrenë pyetjet: Si do ta zhvilloj temën? A do të jem në gjendje ta menaxhoj me përpikmëri orën mësimore? Ç’vlerë ka dialogu? A mund të konsiderohet si një nga pikat kyçe të mësimdhënies?

Dialogu është një formë komunikimi që qëndron në themel të të mësuarit në grup.William Isaacs e përcakton dialogun; “si një sondazh apo hulumtim kolektiv të asaj çka ndodh rreth nesh dhe që ne shpesh e marrim si të mirëqenë dhe e neglizhojmë” (Senge e të tjerë, 2012: 93). Qëllimi i dialogut është krijimi i një ambienti ku individët të ndërgjegjësohen mbi realitetin e përvojave të tyre.

Kur dialogojmë ne mundohemi të kuptojmë, jo vetëm fjalët që individët shprehin, por edhe mënyrën se si e shprehin, me ç’mimikë, ç’timbër dhe ç’ton, cila është esenca e këtij hulumtimi. Në këtë mënyrë individët mësojnë si të mendojnë së bashku, jo vetëm kur analizojnë probleme në grup, por edhe gjatë krijimit të një ambienti dhe mjedisi të përbashkët.

Dialogu është një praktikë e vjetër, diçka e natyrshme, normale midis bashkëbiseduesve. Karakteristikë e dialogut të kohëve moderne është një formë bisede që i fton njerëzit të jenë mendjehapur. Dialogu fillon me një ftesë për t’u krijuar individëve mundësinë e pjesëmarrjes, por pa i detyruar. Pjesëmarrja e detyruar nuk do të sillte krijimin e një shpirti kolektiv hulumtues. Disa nga teknikat e realizimit të dialogut janë:

Dialogu fillon me një hyrje dhe përfundon me një mbyllje. Për të evituar rrjedhën spontane të diskutimit duhet shmangur planifikimi i detajuar i bisedës. Zhvillimi i dialogut kërkon kohë. Dialog do të thotë respekt për mendimin dhe gjykimin e tjetrit.

Duhet analizuar rëndësia që ka dialogu, jo thjesht në të nxënit, por edhe në përvetësimin e aftësive sociale të rëndësishme për krijimin e një personaliteti të shëndetshëm tek fëmijët. “Ruajtja, vazhdimi i dialogut është një detyrë e vështirë sepse ai ka të bëjë me mënyrat tipike të të folurit dhe të menduarit. Degjenerimi i dialogut në një debat, mosmarrëveshjet apo arritja në një konsensus të manipuluar mund të mënjanohen nëpërmjet pranisë së një pale të tretë – një person i jashtëm, i cili mund të sjellë grupin sërish në temën e diskutimit” (Senge e të tjerë, 2012: 95). Njohja dhe përdorimi i këtyre teknikave në një bisedë sjell diçka vërtet të veçantë dhe të rëndësishme.

Shkollat “ziejnë” nga aktivitet në grup. Klasa është një grup individësh të cilët kanë nevojë për ndihmën e njëri-tjetrit për të arritur një rezultat të dëshiruar bashkarisht: zhvillimin e aftësive të tyre” (Senge e të tjerë, 2012: 91).

Përveç aktorëve kryesorë (mësuesit dhe nxënësit), klasa përfshin në mënyrë indirekte edhe aktorë të tjerë ndihmues në procesin e të nxënit si: autorët e teksteve shkollore, stafin administrativ që mundëson mësimin, drejtuesit dhe administratën që sigurojnë burimet si dhe prindërit që japin mbështetjen e tyre.

Dialogu arsimor midis shkollës dhe familjes është një parakusht themelor për një veprimtari frytdhënëse edukative. Prandaj drejtuesit dhe arsimtarët bashkëpunojnë ngushtë me prindërit, të cilët janë gjithashtu aktorë të rëndësishëm të komunitetit arsimor. Midis shkollës dhe familjes ekziston një dialog i hapur dhe komunikim i vazhdueshëm, i dobishëm për prindërit në përballimin e përgjegjësisë së tyre si edukatorë në familje.

Prindërit janë të informuar për aktivitetet e shkollës dhe inkurajohen të takojnë mësuesit për të diskutuar trekëndëshin përparim, disiplinë, frekuentim në lidhje me fëmijët e tyre.Shkolla është komuniteti që kujdeset për kulturën e nxënësve/fëmijëve. Shkolla dhe familja duhet të ndërgjegjësohen mbi detyrat e sfidat e reja, ndryshimet globale dhe zhvillimin e tyre duke eksperimentuar dialogun, për të bashkëpunuar si partnerë dhe aleatë. Ndërtimi i dialogut është një proces inteligjent, i cili ndryshon mendësinë dhe krijon mirëkuptim e besim reciprok.