Rruga “Aleksandër Goga” është dëmtuar mjaft gjatë viteve të fundit. Kjo rrugë që zë fill nga pallati i kulturës “Aleksandër Moisiu”, e përfundon në Porto-Romano është një prej arterieve më të rëndësishme që ka qyteti ynë.

Jo vetëm se është ndër më të mpipopullurat por shërben si për qytetin deri tek spitali Rajonal e më tej por edhe për zonën industriale. Një pjesë e këtij segmenti prej javësh ka mbetur në gjendjen më të keqe të mundshme për të gjithë përdoruesit, banorët dhe këmbësorët.

Segmenti nga dyqani i Dylit deri tek varresat e vjetra u hap në mes nga një kompani e cila shtroi tubacione, dhe më pas e la në gjendje të mjerueshme për të gjithë komunitetin.

Segmenti i cili mbetet shumë i rënduar për shak të dentësisë së madhe të banorëve dhe makinave që qarkullojnë aty po dëmton rëndë makinat. Bashkia e Durrësit e cila është edhe pronare e rrugës nëpërmjet strukturave të saj duhet t’ju “tërheqë” veshin inxhinierëve që e kanë lënë rrugën si mall pa zot.

Të gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë mallkojnë shtetin e qeverinë, sepse dikush i papërgjegjshëm nuk e çon në gjendjen e mëparshme segmentin.

"DurrësLajm" i rikujton administratës së bashkisë se qytetarët durrsakë kanë mjaft halle e probleme, por problemet nuk duhet t’ja shtojnë ata që duhet t’i zgjidhin ato.

Inxhinierët e bashkisë që kontrollojnë firmat dhe rrugët të shikojnë çfarë bëhet jashtë "hundës" së tyre me pronën publike, me rrugët që i përkasin qytetit, qyterëve, përdoruesve, të gjithë popullit që paguan taksa për të patur rrugë më të mira, por me këto taksa paguan edhe administratën që duhet t’i kontollojë.

K.H.