Në vitin 1990, në Shqipëri u regjistruan 82 mijë lindje dhe 18 mijë vdekje. Shtesa natyrore e popullsisë ishte rreth 64 mijë persona, sipas statistikave të INSTAT.

Fillimi i tranzicionit në Shqipëri solli ndryshime të mëdha. Një pjesë e konsiderueshme e popullsisë iku jashtë vendit në emigracion, stili i jetës filloi të ndryshonte dukshëm. Banorët e fshatit u zhvendosën në qytet. Të rinjtë filluan të martoheshin më vonë dhe të lindnin më pak fëmijë. Emigracioni vijoi me ritme më të ulëta por të qëndrueshme përgjatë gjithë periudhës, madje duke u përshpejtuar vitet e fundit.

Sot gjendemi në një situatë dramatike, teksa në 27 vjet të tranzicionit, lindjet kanë rënë dhe vdekjet u rritën, duke reflektuar një stil më sedentar jetese dhe ndotjen e shtuar të ambientit. Dhe vijmë në vitin 2017, kur të dhënat zyrtare tregojnë se kishte vetëm 30.8 mijë lindje, niveli më i ulët rekord ky, me një rënie prej 62% në krahasim me vitin 1990.

Vdekjet arritën në 22 mijë, me një rritje prej 22% në raport me 1990-n. Si rrjedhojë e rënies së lindjeve dhe rritjes së vdekjeve, shtesa natyrore e popullsisë ra në mënyrë dramatike në vetëm 8,637, që është niveli më i ulët historik, të paktën 100 vitet e fundit, që nga viti 1920, kur është kryer censusi i parë në Shqipëri. Në krahasim me vitin 1990, shtesa natyrore e popullsisë ka rënë me 86.5%.

Në linjë me këto zhvillime, popullsia po plaket. Mosha mesatare e popullsisë banuese është rritur nga 24-25 vjeç në vitin 1989 në 35 vjeç në vitin 2017.

Demografët japin dy arsye për rënien e shtesës natyrore, emigracionin  e lartë të popullsisë në moshë fertile; e dyta rritja e moshës mesatare të martesës si te femrat ashtu dhe te meshkujt dhe arsyeja e tretë, përdorimi i metodave të planifikimit familjar. Por ka edhe disa arsye që lidhen edhe me dinamikën e zhvillimit të familjeve që janë baza e lindshmërisë, si martesa e vonë dhe divorcet ose refuzimi për të shkuar në martesë.

Demografët shpjegojnë  se kjo shtyrje e martesës ndoshta është e lidhur me rëndësinë e karrierave paralele, si vazhdimësia e arsimit, zhvillimet në gjetjen e një pune të përshtatshme në tregun e punës dhe ndikimi i përvojave të migracionit gjatë fazës së jetës të të rinjve të rritur.

Gjithashtu numri i divorceve është rritur. Në 25 vjet, divorcet janë shtuar ndjeshëm. Sipas të dhënave të INSTAT-it, në vitet 1990 kishte 9 divorce për 100 martesa, ndërsa në vitin 2016, ishin 24.7 divorce për 100 martesa, nivel rekord.

Ndikimet

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç teksa numri i personave mbi 65 vjec po rritet me shpejtësi. Popullsia e vendit po tkurret me shpejt se projeksionet e popullsisë 2011-2031. Me 1 janar 2018 popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT.

Sipas statistikave të fundit të popullsisë, 0-40 vjeç pësoi rënie me 2 për qind gjatë një viti. Në janar 2018 në këtë grupmoshë u numëruan rreth 19 mijë persona më pak se më 1 janar 2018. Një nga shkaqet e rënies në këtë grup moshë është emigracioni i lartë dhe rënia e numrit të lindjeve, rënia më e madhe i takon grup moshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10,500 persona më të pakët në numër se vitin 2017.

Grupmosha e hershme 20-40 vjeç që përbën kulmin e funksionimit fizik është pakësuar me 3777 mijë persona më 2017-n. Tkurrja e kësaj grupmoshe tregon humbjen e produktivitetit të forcës së punës dhe popullsisë në tërësi, pasi në këtë moshë merret vendimi për martesë dhe vihen bazat e karrierës.

Gjithashtu forca e punës shënoi rënie me 1.1 për qind. Grup mosha 15-65 vjeç u tkurr me 2323 persona gjatë vitit 2017, teksa numri i të moshuarve ka pësuar rritje të mëtejshme.

Gjithashtu skemat e mbrojtjes sociale janë duke mbartur kostot e plakjes së popullsisë.

Në fund të vitit 1991, numri i përfituesve kishte arritur në 329 mijë, duke reflektuar një norme vartësie 4.5 kontribuues për 1 përfitues. Ky tregues, 6 dekada më parë, ka qenë edhe më i lartë. Në vitin 1966, më shumë se 7 persona kontribuonin për një person në pension.

Por në vitet e para të tranzicionit, për shkak të rënies së sistemit ekonomik të diktaturës, që çoi në mbylljen e fabrikave shtetërore dhe kooperativave bujqësore, raporti kontribuues përfitues ishte 1.9 me 1 në vitin 1993. Situata duket se u përkeqësua në vitet në vijim. Defektet në tregun e punës dhe emigracioni lartë e kanë përkeqësuar raportin e mbulimit. Në fund të vitit 2015, raportimi i mbulimit kontribuues-përfitues ishte 1.2 me 1.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore parashikon se, norma e varësisë së sistemit, që shpreh raportin mes kontribuuesve dhe përfituesve, do të jetë 120 pensionistë për 100 kontribuues në vitin 2032, pra në nivelin 1.2 me 1 si aktualisht.

Për shkak të rritjes së numrit të pensionistëve dhe rënies së numrit të popullsisë në moshë pune, treguesit financiarë të skemës së pensioneve do të vazhdojnë të përkeqësohen deri në vitin 2030. Ritmi i rritjes së shpenzimeve do të jetë shumë më i lartë se ritmi i rritjes së të ardhurave, duke e bërë skemën edhe më të paqëndrueshme nga ana financiare. Si rrjedhim, deficiti aktual i skemës së pensioneve do të vazhdojë të thellohet, duke arritur pikën kulmore në vitin 2029.

Për t’i paraprirë zgjerimit të deficitit nga plakja e popullsisë që këtë vit, mosha e daljes në pension për gratë, po rritet me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç, në vitin 2032.

Mosha e daljes në pension për burrat do të rritet me një muaj në vit dhe për gratë me dy muaj në vit, duke arritur në 67 vjeç, për të dy sekset, në vitin 2056. Në këtë rritje, jetëgjatësia te gratë është më e lartë se jetëgjatësia te burrat. Ekspertet e ISSH pohojnë se, ndikim për përkeqësimin kanë dhënë lëvizjet demografike, nën ndikimin edhe të emigracionit të moshave të reja dhe tendencat e plakjes së popullsisë. /Monitor/