Gezim Domi ka postuar këtë status me foto: “Një kujtim i bukur i vitit 89 me të ndjerin Sokol Muho (djathtas), ish-korrespondent i gazetës se mirënjohur në mbarë vendin ” Adriatiku ” dhe unë si fotoreporter i jashtëm për gazetën. Fotoja nga i mirënjohuri kolegu ynë Dhori Jano. Falënderoj mikun tonë, ish-kryeredaktorin e gazetës “Adriatiku” Fatos Kullaj, që nga arkivi më dhuroi këtë kujtim të bukur”.

Nga Thanas Mustaqi

Me të ndjerin Sokol Muho jam njohur në vitin 1988 kur jemi nderuar me çmime vjetore nga revista “Hosteni”. Pastaj u bëmë miq në gazetën “Adriatiku”, të dy si bashkëpunëtorë të jashtëm, për problemet e kulturës dhe ekonomisë. Sokoli ishte inxhinier pyjesh, por me horizont të gjerë dhe njohës i zhvillimeve kulturore në Itali. Nga gushti i vitit 1989, kur fillova si redaktor në “Adriatiku”, me kryeredaktor të jashtëzakonshëm dhe më mendjehapurin në shtypin shqiptar, mikun tim Fatos Kullën, bashkëpunimi me Sokolin ishte më i ngushtë.
Një nga shkrimet e tij të mira ishte ishte një investigim ekonomik për mundësitë e zhvillimit dhe eksportit në ndërmarrjen pyjore.

Por është një pikë kulmore në historinë e gazetarisë shqiptare para-demokratike, ngjarje që e realizoi një gazetë vendore si “Adriatiku”, por që ngjalli smirë tek gazetat qendrore. Po ashtu bëri bujë në nivel kombëtar dhe shkaktoi tronditje mes konservatorëve – njerëz të thjeshtë por edhe të niveleve të ndryshme të emërtesës: intervista ekskluzive me Al Bano Carrisin.

Kishim marrë vesh muaj më parë se në Tiranë do të vinte me koncert një këngëtar “borgjez” i famshëm si Albano Carrisi me Romina Power-in.

Fatosi mendoi të dërgonim në Tiranë për reportazh nga koncerti, mundësisht, për intervistë, dy bashkëpunëtorë, si gazetar Sokol Muhon dhe si fotoreporter Gëzim Domin (të dy në foto).
Gëzimi mund të dëshmojë për aventurën e hyrjes në koncert, më 17 shtator 1989, dhe marrjen e intervistës ekskluzive dhe që organeve qendrore, të paktën, gazetave “Drita”, “Zëri i rinisë”, apo revistave “Ylli”, “Skena dhe ekrani”, “Shqipëria e re” nuk u kishte shkuar në mendje!

Në zyrën dhe në praninë e Teuta Mulës, së bashku me Sokolin, zbardhëm me emocion intervistën, i gjetëm një titull, për të qenë brenda, “Faleminderit Shqipëri!”. Kryeredaktori dha pëlqimin dhe e çuam për radhitje në sekret të plotë në shtypshkronjë, pasi mund të ndodhte ndonjë anulim. Thjesht se sekretari i parë i komitetit të PPSH ishte anëtar i Byrosë Politike! Ne po vepronim pa lejen e tij. Ndenja vet në shtypshkronjë për çdo të papritur.
Por, me sa duket, fjala kishte marrë dhenë. Fillimisht erdhi një instruktor i komitetit të partisë, ish-redaktor që e zëvendësova unë dhe që e kisha shok qysh në universitet. Por porosia e kryeredaktorit ishte e prerë: askush, përveç sekretarit I dhe atij për ideologjinë dhe kulturën nuk duheshin lejuar për të parë tekstin dhe bocat. Mezi shmanga instruktorin mes debateve. Erdhi dhe një mësuese letërsie, fqinja ime, që burrin e kishte instruktor bujqësie në komitetin e partisë. Atë e përzura pa ceremoni.

Pas botimit, të dielën, prisnim reagimet, telefonatat. Të hënën, kryeredaktori shkoi në Tiranë, në mbledhje me kolegët e tij. Fatosi mund të dëshmojë…

Por di që pati shumë kontestime në rrethe të ndryshme të vendit për koncertin. Prandaj ishim në ankth për “herezinë” tonë, sidomos për pritjen nga shefat tanë të Durrësit. Gjithsesi, Ramiz Alia e kishte pëlqyer intervistën dhe ishte dhënë porosi të ribotohej nga gazetat qendrore.

Ishte një fitore për ne, si redaksi, por, sidomos, për Sokol Muhon, me një “njollë”, si unë, në biografi. Dëshironim të emërohej në ndonjë gazetë kombëtare.

… Pa u zgjatur më tej, dua të them se Sokoli iku herët dhe papritur nga kjo botë…