A i ka parë zonja ministre nevojat dhe kushtet e maternitetit të Durrësit?

15/05/2019 - 13:31

Të gjitha godinat e Spitalit Rajonal të Durrësit janë në proces lyerje prej disa javësh. Lyerja e fasadave është për t'u përshëndetur e për t'u vlerësuar sepse tregon që në këtë spital me halle të mëdha po vihet dorë në mirëmbajtjen e tij. Bravo kujt i ka shkuar në mendje për të bërë të bukur nga jashtë godinën e spitalit dhe atë të drejtorisë.

Por atij që i shkon në mendje të tenderojë lyerjen e godinave e të shpenzojë para për zbukurimin e spitalit, a ka hyrë ndonjëherë brenda tij të shohë se çfarë nevojash ka brenda?

Ministrja e Shëndetësisë, zonja Manasterliu e cila ka edhe sqimë të madhe e për këtë është dalluar sa herë që ka vizituar spitalin e Durrësit ka dhënë mjaft kritika vartësve të saj në nivel lokal përsa i përket kushteve të brendshme të spitalit.

Shkarkimi i Alban Ramohitajt nga posti i drejtorit erdhi pasi zonja ministre vizitoi pavionin e kirurgjisë në spitalin e Durrësit, ku pa me sytë e saj se si lagështira e madhe po rrëzonte nga dita në ditë tavanin në kokat e pacientëve të shtruar për t'u kuruar.

Zonja ministre vizitoi edhe maternitetin, aty ku çdo vit vijnë në jetë 2400 vogëlushë, maternitet i cili çdo ditë ka fëmijë e pret të qarat e tyre të para.

A i ka pyetur zonja ministre gratë që me barkun te goja zgjedhin këtë maternitet për të lindur në çfarë kushtesh i presin fëmijët e tyre? Apo asnjë prej drejtuesve të spitalit e të maternitetit të Durrësit nuk i ka thënë ministres se në çfarë kushtesh është materniteti?

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të demaskojë askënd por të bëhemi shkak që të merren masa konkrete në drejtim të pritjes së vogëlushëve që e shikojnë për herë të parë jetën nga ky maternitet.

Pse drejtuesit e spitalit e të maternitetit nuk ia bëjnë të qartë ministres së Shëndetësisë se në maternitetin e Durrësit mungojnë kushtet minimale për të qëndruar nënat të cilat lindin aty e janë lehona? Shërbimi hotelier ka marrë fund.

-Në maternitet nuk ka ujë të ngrohtë prej vitesh dhe në jo pak raste mungon edhe uji i ftohtë.

-Në maternitet dyert e tualeteve herë herë mbyllen, sepse qëndrojnë të hapura.

-Krevatet e shtrimit janë amortizuar tërësisht.

-Dyshekët ku qëndrojnë të shtrira nënat u kanë dalë sustat. Të mjerat nëna në mes të dhimbjeve të lindjes dhe të lehonisë duhet të durojnë edhe sustat e dysheqeve që ju ngjeshen kurrizit të tyre.

-Në dhomat e kësaj godine nuk ka sistem ngrohje-ftohje. Në pikun e të nxehtit dhe të ftohtit, nënat duhet të durojnë temperaturat minus ashtu si edhe ato të korrikut e të gushtit së bashku me dhimbjet e para e pas lindjes. Problemet vijojnë më pas me mjekimet që jo rrallë herë mungojnë si rezultat i vonesave të tenderimit, apo edhe për shkaqe të tjera burokratike. 

Por për çfarë ka ndodhur e gjithë kjo zonja ministre? A mos në këtë mënyrë ju po çoni me detyrim drejt privatit pacientët?

Si është e mundur që spitalet private ua plotësojnë të gjitha kushtet në sallat e lindjes dhe të shtrimit pacientëve? E dini sa paguajnë prindërit për një lindje në këto spitale private? Gjithmonë më shumë se një mijë euro.

E dini që në çdo rast komplikacioni sërish spitalet private i dërgojnë në shtet nënat për kurim të specializuar?

Zonja ministre ka shumë familje që nuk kanë të ardhura për të paguar shuma të tilla sepse paga është akoma 300 mijë lekë të vjetra në muaj për shumicën e atyre që i drejtohen spitaleve të vendit. Po të kishin më shumë të ardhura do të ishin larguar në spitale jashtë vendit, aty ku shkojnë ata të serës suaj.

Shkrimi nuk ka as si qëllim të shpërndajë pesimizëm te prindërit që presin fëmijë, por të tregojë se përtej fasadave të bukura fshihen probleme të mëdha e të rënda.

Lëngojnë jo vetëm shtretërit e prishur të maternitetit, por më shumë kockat e nënave që i drejtohen këtij materniteti, nga Rrogozhina e periferitë, Kavaja, Durrësi e të gjitha fshatrat e njësitë administrative.

Zonja ministre e qara e parë e një fëmijë që vjen në jetë është gëzimi më i madh jo vetëm i prindërve që e sollën në jetë, por edhe i të gjithë vendit, i cili po lëngon sot nga mungesa e të qarave të vogëlushëve.

Ju e dini shumë mirë se sa është ulur numri i lindjeve, dhe të rinjtë ata që janë forca e këtij vendi po largohen. Po largohen se që aty nga lind jeta, kushtet janë mizerabël, nuk kanë lekë të paguajnë lindjen në spitalet private, nuk kanë mundësi që të rrisin fëmijë në këtë vend.

Kanë një milionë arsye të ikin nga ky vend, dhe këtu po qëndrojnë gjyshërit e tyre pensionistë. Pse i mbysni zërat e vogëlushëve me neglizhencën tuaj? Nuk dua të them se bëhet qëllimisht për të favorizuar spitalet private, as që dua të them se pas kësaj ka qëllime përfitimi, as që me të ardhmen e këtij vendi matet kandari i korrupsionit të shëndetësisë falas.

Zonja ministre ju jeni grua vetë e dini çdo të thotë të jesh e të bëhesh nënë, shkoni dhe pyetini një ditë mjekët në spitalin e Durrësit, e nëse ata nuk ju thonë të vërtetën pyesni nënat sa ju dhembin brinjët nga sustat e dala të dyshekëve apo çfarë ere durojnë si rezultat i tualeteve që shpërndajnë aromë në dhoma. Po vjen vera zonja Ogerta, dhe era e tualetëve ndjehet më shumë……

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Trajnimi “Teknikat tradicionale në ndërtim” vjen tashmë edhe në Durrës!

Në rrugicat e Dhoksatit, fshat në Gjirokastër, ështëthuajse e pamundur të ndeshesh me ndonjë të ri.

Desi Balliu është një 53-vjeçare, kryefamiljare që banon në Durrës prej më shumë se një dekade.

Në Ditën Botërore të Hipertensionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik organizuan Forumin Shkencor: “Kontrolli Mj

Qeveria shqiptare ka marrë një tjetër vendim për zgjerimin e përfituesve të fishave të diabetit falas.

Televizioni dhe interneti luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve.

Largimi i të rinjve, tendenca e çifteve për të bërë më pak fëmijë, pasiguria për të ardhmen, të ardhurat e pakta të disponueshme, ndryshi

Nuk ka rëndësi nëse ju jeni një udhëtar për çështje biznesi ose dikush që shkon jashtë për pushime, një nga shqetësimet kryesore që do të