55-vjeçari Ilir Shaqja, në acarin e dimrit të vitit të kaluar, u sistemua nga Shërbimi Social i bashkisë së Durrësit, për disa ditë në një hotel në Shkëmbin e Kavajës, së bashku me endacakë të tjerë.

Pas kalimit të ditëve të acarta të vitit 2017, ish punëtori i portit u kthye aty ku ishte edhe më pare, në rrugë.

Pavarësisht se për më shumë se 20 vjet ka punuar në sektorin e ngarkim shkarkimit në port, ai ka mbetur pa asnjë ndihmë ekonomike. I braktisur nga të afërmit, Iliri vuan nga sëmundje të ndryshme kronike dhe ka nevojë për kujdes shëndetësor.   

Pa asnjë ndihmë as nga familja e as nga strukturat e shtetit Shaqja ngryset dhe gdhihet në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

Dikush i fal një rrobë të mbulohet, dikush pak bukë fhe gjithë jeta e tij mbetet në kufijtë ekstremë të ekzistencës. E kanë hequr nga skema e ndihmës ekonomike sepse nuk mund të përfitojë nga kjo skemë e ka mbetur në mes të katër rrugëve, në mëshirën e qytetarëve, të cilët e njihnin si hamalli i portit. I ndodhur në këtë gjendje të mjerueshme, lotët i rrjedhin faqeve prej dhimbjes e prej të ftohtit. 

Bashkëvuajtësit e tij janë të shumtë. Janë ata që kanë dalë nga skema e ndihmës ekonomike në Durrës. Qeveria vendosi që në skemën e ndihmës ekonomike dhe sociale të përfshihen ata persona që nga përllogaritja kanë pikë më shumë.

Ilir Shaqja nuk përfiton, por kush më shumë se ky person mund të përfitojë nga skema e ndihmës ekonomike e sociale?!   

K.H.