Dëshira e shqiptarëve për të ikur nuk ndalet. Krahas atyre që po kërkojnë të largohen përmes kontratave të punës, kryesisht në Gjermani, i lartë mbetet dhe numri i azilkërkuesve, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe dhe që nuk konsiderohet si vend i rrezikshëm, ndryshe nga shtete të tjera si Siria e Afganistani, që shihen më me përparësi nga BE, pasi ikin nga kriza dhe lufta.

Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie. Rreth 88% e aplikimeve ishin për herë të parë, kurse pjesa tjetër ishin aplikime të përsëritura. Numri më i lartë i kërkesave për azil ishte në mars, shtator dhe tetor, kur i kaloi 2 mijë në muaj. Të dhënat e EASO tregojnë se në total ka një numër prej rreth 15 mijë rastesh që janë pezull. Përgjithësisht, mbi 90% e vendimeve për herë të parë që merren për azilantët shqiptarë janë negative, pasi Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt.

Shqipëria renditet në listën e 10 vendeve që kanë nivelin më të lartë të kërkesave për azil së bashki me shtete të tilla si Siria, Afganiztani, Venezuela, Pakistani, Turqia, Nigeria, Irani. Të dhënat historike (shih grafikun) tregojnë se që nga viti 2013 ka një rritje të kërkesave për azil, që kulmoi në 2015-n, me rreth 68 mijë dhe më pas ndonëse erdhi në ulje, sërish mbeti më i larti nga shtetet e tjera të Europës që nuk janë pjesë e BE-së. Në total, që nga viti 2013, janë rreth 200 mijë persona që kanë kërkuar azil në një nga vendet e BE-së.

Rriten për herë të parë nga 2015-a kërkesat për azil në BE
Të dhënat e EASO bëjnë të ditur se në vitin 2019, kishte rreth 714 200 aplikime për mbrojtje ndërkombëtare, duke u rritur me 13% krahasuar me vitin 2018. Kjo është rritja e parë që nga viti 2015.

10% e të gjitha aplikacioneve ishin aplikime të përsëritura në të njëjtin vend. Shkalla e përgjithshme e pranimit në BE + mbeti e qëndrueshme në 33%.

Sirianët, Afganët dhe Venezuelasit paraqitën më së shumti kërkesa, një e katërta e totalit.
Sirianët ende paraqitën shumicën e kërkesave për azil (72 254) duke përbërë 10% të të gjitha kërkesave në vitin 2019. Afganët, gjithashtu, vazhduan të renditen në vendin e dytë, por në këtë rast aplikimet u rritën ndjeshëm në krahasim me 2018 (59 706 aplikime ose + 32%). Venezuelasit paraqitën dy herë më shumë aplikime sesa në 2018 (rreth 45 150), duke u renditur e treta dhe duke tejkaluar madje edhe irakianët, pakistanezët dhe Nigerianët.

Lista e 10 shtetësive me më shumë apkikime përfshinte gjithashtu shtetasit irakenë, pakistanezë, turq, iranianë, nigerian dhe shqiptarë. Irakianët kërkuan azil shumë më pak se në vitin 2018 (- 19%), në përputhje me prirjen rënëse të vërejtur që nga viti 2015, ndërsa turqit paraqitën më shumë aplikime (+ 10%). Flukset relativisht të qëndrueshme u vunë re në pjesën tjetër të shtetësisë. 10 vendet kryesore paraqitën së bashku gjysmën e të gjitha aplikimeve në vitin 2019.

Një e katërta e të gjitha aplikacioneve u paraqitën nga aplikantët që mund të hyjnë në zonën Shengen pa viza. Aplikantët nga vendet e Liberalizuara të Vizave (VLC) priren të kishin nivele të ulëta të pranimit, përveç për shtetasit e El Salvador (37%).
Megjithë aplikimet e rritura, vendet e BE + nxorën më pak vendime të shkallës së parë në krahasim me vitin 2018.
Sirianët (85%), Jemenasit (82%) dhe Eritreans (81%) kishin nivelet më të larta të pranimit, ndërsa Maqedonasit e Veriut dhe Moldavët kishin më të ulëtat (1%).
Në fund të vitit 2019 kishte më shumë se 900 000 raste në pritje në të gjitha instancat në BE +. /MONITOR