Kisha Konkatedrale “Shën Luçia” në Durrës, me rastin e 150-vjetorit të ndërtimit të saj, është rikonstruktuar plotësisht, ndërkohë që besimtarët e krishterë katolikë kanë marrë pjesë në meshën e shenjtë të organizuar për kushtimin e saj. Meshën e udhëhoqi Imzot Xhorxh Frendo, arqipeshkvi i Dioqezës së Tiranës dhe Durrësit.

Kisha Konkatedrale “Shën Luçia” në Durrës është ndërtuar në vitin 1868  dhe, krahas funksionit të saj si objekt kulti, ka shërbyer edhe si qendër e rëndësishme e mendimit intelektual dhe patriotik shqiptar.

Në këtë kishë kanë shërbyer Imzot Nikoll Kaçorri, një nga figurat kryesore të përpjekjeve për pavarësinë e Shqipërisë dhe zëvëndëskryeministri i qeverisë së parë shqiptare, si edhe Imzot Vinçens Prendushi, një prej klerikëve të shumtë të persekutuar nga regjimi komunist.

I gjithë kompleksi shtrihet në një sipërfaqe prej 1200 metra katrorë, ku krahas kishës, gjenden edhe objekte të tjera, të cilat parashikohet ta shndërrojnë objektin e kultit edhe në një qendër kulture dhe edukimi. Rikonstruksioni i kryer ka ruajtur tërësisht karakterin origjinal neo-klasik të kishës.

Në meshën e kushtimit të Kishës Konkatedrale “Shën Luçia” morën pjesë edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare në Durrës.