Banorët e qarkut të Kukësit do të kenë një maternitet të ri dhe spitalin e rikonstruktuar, falë investimit të qeverisë me vlerë 3 milion euro.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu inspektoi punimet e maternitetit dhe spitalit të ri të urgjencës dhe kirurgjisë në spitalin rajonal të Kukësit.

“Kanë nisur punimet me një investim prej 3 milion euro të qeverisë shqiptare, ndërsa faza e dytë pritet të fillojë brenda këtij viti. Punimet kanë ecur përsa i përket urgjencës me të gjitha zonat e triazhimit dhe ndarjen funksionale të saj dhe sallat e reja, reaminacionin e ri dhe të gjithë organizimin funksional, të spitalit të ri të Kukësit i cili do të përfundojë brenda vitit 2021”, tha Manastirliu.

Gjatë inspektimit të punimeve në spitalin e Kukësit, Ministrja Manastirliu theksoi se është përmirësuar shërbimi i specializuar për banorët e qarkut të Kukësit, me ardhjen e mjekëve të rinj specialsitë.

“Është rëndësishme të investojmë në infrastrukturë por gjithashtu dhe në ekipe mjekesore. Pesë mjekë specialistë sapo janë punësuar në spitalin Rajonal Kukës, mes të cilëve gjinekologë dhe endokrinologë, që do të garantojnë ato shërbime të specializuara për të cilat kishin nevojë banorët e kësaj zone. 70 mjekë specialistë sapo po punësohen këto ditë në spitalet rajonale”, u shpreh ministrja Manastirlu.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi masat për koronavirusin, i cili ēshtë identifikuar aktualisht në Kinë, Manastiliu u shpreh se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat paraprake në zbatim rregulloreve ndërkombëtare për të vendosur një sistem survejance nëpërmjet Institutitit të Shëndetit Publik, sipas shkallës së rrezikshmërisë.

“Duhet thënë se Shqipëria është momentalisht në një risk të ulët, por kjo nuk do të thotë që të mos marrim masa. Në zbatim të udhëzimeve të OBSH në kemi nxjerrë një urdhër që parashikon të gjitha përgjegjësitë e institucioneve. Kemi gati planin e masave, që sipas shkallës së rrezikshmërisë të aktivizohen edhe planet e emergjencës”, tha Manastirliu.