Aparaturat e reja të investuara në shërbimin e dializës në QSUT kanë përmirësuar cilësinë e shërbimit për pacientët që e marrin këtë shërbim jetik pranë qendrës më të madhe spitalore në vend. Gjatë vizitës në ambientet e qendrës së Hemodializës në QSUT, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu deklaroi se shërbimi i dializës ka një ndryshim si nata me ditën, pasi sot personat që bëjnë dializë e marrin këtë shërbim cilësor, në kohë dhe afër vendbanimit.

“Në vijim të investimeve të kryera për pacientët që bëjnë dializë, investimi i fundit në QSUT, në 22 aparatura moderne, bëjnë të mundur kryerjen e procedurave sipas standardeve, duke ulur në maksimum infeksionet dhe duke rritur cilësinë e jetës për këta pacientë”, tha Manastirliu.

Duke theksuar mbulimin falas të të gjithë trajtimit për dializantët, Manastirliu deklaroi se sfida e radhës është transplanti i veshkave në spitalet publike.

“Sot personat me dializë kanë një paketë të plotë rimbursimi, përveç seancave të dializës. Edhe transplanti financohet 100% nga shteti, por sfida jonë tani është kryerja e transplantit të veshkave në shërbimin publik”, deklaroi Manastirliu.

Nga investimi i fundit në repartin e Hemodializës në QSUT përfitojnë 110 pacientë, të cilët kryejnë rreth 12,500 seanca në vit.

Janë 1302 pacientë që e përfitojnë falas paketën e dializës në spitalet publike, përkatësisht në QSUT dhe spitalin rajonal Gjirokastër, në spitalet jopublike dhe nëpërmjet partneritetit publik-privat të hemodializës, në spitalet rajonale të Lezhës, Elbasanit, Vlorës, Korçës dhe Shkodrës.

Ndërkohë që e gjithë paketa për dializantët ofrohet falas, përfshirë këtu edhe trajtimin me barna të rimbursueshme. Në vitin 2018 pacientët me dializë përfituan falas nga shteti trajtimin me 13 barna në vlerën 472 milionë lekë, ndërkohë që pacientët të cilët kanë kryer transplantin renal përfituan nga Lista e Barnave të Rimbursueshmë trajtimin me 16 barna në vlerën 35 milionë lekë.

Shteti siguron sot transplantin falas, me financim publik në spitalet jopublike. Kanë përfituar 80 pacientë që prej ofrimit të këtij shërbimi falas dhe vetëm vitin e fundit e kanë kryer transplantin pa pagesë 13 pacientë.