Fenomeni i përdorimit të drogës në shkolla apo edhe jashtë saj nga të rinjtë është një prej sfidave me të cilat ndeshen shumë familje në Durrës. Përdorimi i hashashit nga nxënësit që në shkollën 9-vjeçare dhe më pas në shkollë të mesme, ka bërë që edhe vetë shkollat të marrin masa drastike ndaj nxënësve që kapen si konsumatorë.

Pak ditë më parë, 2 maturantë janë gjetur duke tymosur cigare në shkollën e mesme “Leonik Tomeo” në Durrës dhe shkolla mori masë që asnjëri prej dy maturantëve të mos futej në provimet e maturës.

Drejtori i shkollës së mesme, Tomorr Agalliu pranon se jashtë oborrit të shkollës ndjehet era e rëndë e hashashit që konsumojnë të rinjtë. 

Sensibilizmi i të rinjve në shkolla ka qenë i mjaftueshëm nga policia dhe OJF-të, por rreziku që ata të bien në kthetrat e drogës është shumë i madh.

Kanabis sativa, pavarësisht se është një drogë e ndaluar. konsumohet gjerësisht në ambiente e në rrugë. Shumë prej të rinjve shtyhen nga kurioziteti për të provuar ndjesinë që të jep dhe më pas disa prej tyre krijojnë varësi nga lëndët narkotike.

K.H.