Nën kujdesin e Këndit të BE-së të Bashkisë së Durrësit u zhvillua një konkurs-ekspozitë me punime kreative të  nxënësve të disa shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qytetit me temë “Dita pa Makina”, të cilat përcollën mesazhe sensibilizuese dhe idetë më të mira për lëvizshmërinë e qëndrueshme.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetarja e Bashkisë së Durrësit Valbona Sako e cila vlerësoi idetë e këtyre fëmijëve:

“Me surprizuan idetë që kanë fëmijët dhe që i kanë shprehur kaq bukur në vizatimet e tyre. Kjo do të thotë që po rrisim një brez të mirë dhe me ide origjinale që mund të përdoren nesër në dobi të qytetit tonë.”

Bashkia e Durrësit i është bashkuar qindra qyteteve evropiane në kuadër të “Javës Evropiane të Lëvizshmërisë”. Kjo javë konsiston në zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe sensibilizuese për një ambjent më të shëndëtshëm duke minimizuar përdorimin e makinave dhe duke shfrytëzuar burimet alternative të lëvizjes si transportin publik dhe ecjen me bicikleta.

Gjatë gjithë këtyre ditëve janë organizuar aktivitete të shumta lidhur me tematikën e kësaj jave e cila mbyllet ditën e dielë me “Ditën ndërkombëtare pa makina”, ditë në të cilën Bashkia Durrës fton të gjithë qytetarët ti bashkohen nismës së ecjes me biçikleta në qytet.