Klubi Rotarian Durrës është solidarizuar me popullin italian, i cili është duke luftuar me virusin vdekjeprurës, Covid-19.

“Kurajë Itali, Durrësi është me ty” shkruhet në banerin e vendosur pranë selisë së klubit Rotarian te hotel “Arvi”.

Lidhja e ngushtë e Durrësit me Italinë është e hershme, ku në shtetin fqinj jetojnë prej vitesh me mijëra familje durrsake. Italia sot është më e dëmtuara nga pandemia që ka prekur gjithë botën, ku deri më tani numërohen 6820 persona të vdekur dhe 69176 të infektuar.

Tri ditë më parë, një baner gjigant i ngjashëm u vendos në bashkinë e Durrësit, në shenjë solidarizimi me vendin fiqnj që është aq i dashur për shqiptarët, e në veçanti për durrsakët.

Klubi Rotarian i Durrësit është një organizatë me njerëz të përkushtuar, ndaj të gjitha shtresave shoqërore me probleme në të gjitha fushat e jetës. Anëtarët rotarianë punojnë me pasion e energji për të bërë projektet realitet. Duhet të promovojnë paqe, të luftojnë sëmundjet, të dhurojnë ujë të pijshëm, pastërti, higjienë, të ndihmojnë në rritjen ekonomike të komunitetit.

Gjatë gjithë ekzistencës së tij, ky klub ka bërë donacione të ndryshme në gjithë zonën e Durrësit dhe qendra rezidenciale të ndryshme, ku është parë e nevojshme për të kryer donacione për fëmijë dhe shtresa të ndryshme shoqërore.