"Investimi i parë i rëndësishëm që nis këtë vit për ruajtjen e zinxhirit ftohës të vaksinave, do të rrisë sigurinë e vaksinimit". Deklarata u bë nga Ministrja Manastirliu, gjatë vizitës në qendrën shëndetësore Kashar 1, në periferi të Tiranës, e rehabilituar plotësisht në kuadër të programit kombëtar të 300 qendrave shëndetësore.

Duke deklaruar se po punohet për ruajtjen e mbulesës së lartë vaksninale, Manastirliu apeloi prindërit që refuzojnë vaksnimin e fëmijëve.

"Jemi këtu për të promovuar dobinë e vaksinimit për parandalimin e sëmundjeve të rrezikshme, ndaj ju them të gjithë prindërve, të mos bazohen në argumente të paarsyeshme, por të ndjekin me rigorozitet kalendarin e vaksinimit", tha Manastirliu.

Në fillimin e Javës Europiane të Vaksinimit, apelit ju bashkua edhe ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, e cila garantoi sigurinë dhe efikasitetin e vaksinave.

"Dua të bëj një apel për prindërit, të mos hezitojnë për kryerjen e vaksinave, sepse përfitimet që vijnë nga vaksinimi janë të paarritshme dhe prandaj nuk duhet të kemi frikë nga vaksinat sepse vaksinat janë të sigurta", tha Bino.

Gjatë vizitës në qendrën shëndetësore të rehabilituar të Kasharit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale shoqërohej edhe nga deputetja e zonës Blerina Gjylameti, e cila vlerësoi investimin e qeverisë në këtë zonë të ekstremit të Bashkisë Tiranë, duke theksuar se ndryshimi është i dukshëm jo vetëm në qendrat në zonat urbane, por në çdo komunitet.

Gjatë vitit 2018, vetëm në bashkinë e Tiranës u rehabilituan 15 qendra shëndetësore, nga 80 që u rikonstruktuan në të gjithë vendin. Në këtë vit do të investohet për rehabilitimin dhe pajisjen e 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në të gjithë Shqipërinë, investime nga të cilat do të përfitojnë rreth 450 mijë qytetarë.