“Objektet shëndetësore të dëmtuara lehtë si pasojë e tërmetit po rehabilitohen, ndërsa ato me dëmtime serioze do të përfshihen në planin e rindërtimit”. Nga urgjenca e re e përkohëshme e Mamurrasit, ku aktualisht po transferohet shërbimi i qendrës shëndetësore 24-orëshe të këtij qyteti, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale garantoi ofrimin e shërbimit pa ndërprerje për banorët e prekur nga tërmeti.

“Edhe pse jemi në këto kushte emergjence, jemi këtu për të garantuar që kujdesi shëndetësor do të vazhdojë në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, ku jemi duke ofruar shërbim, siç është rasti i urgjencës 24 orëshe të Mamurrasit, ku në kohë rekord qendra shëndetësore e dëmtuar nga tërmeti, është transferuar në një ambient të përshtatshëm, pa e ndalur punën për ofrimin e shërbimit për qytetarët”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë 12 objekte shëndetësore të dëmtuara, për të cilat ka nisur puna me riparimin e dëmeve si pasojë e tërmetit, për ato objekte që janë të riparueshme, ndërsa do të vijojë plani i rindërtimit.

“Janë 12 objekte shëndetësore, ku përfshihen kryesisht qendra shëndetësore, të cilas janë vlerësuar me demtime serioze apo dëmtime të lehta si pasojë e tërmetit. Për dëmtimet e rikuperueshme ne kemi marrë mastat që të fillojë menjëherë puna për rehabilitimin, sikundër kemi bërë me spitalin e Durrësit, me disa shërbime në QSUT, etj, ndërsa do të përfshijmë në planin e rindërtimit objektet me dëmtime të rënda siç është qendra shëndetësore 24 orëshe e Mamurrasit apo spitali i Laçit, ku ndërkohë kemi marrë masa për të ofruar shërbimin e urgjencës në kushte optimale, në një ambient të ri”, tha Manastirliu.

Manastirliu i bëri këto deklarata në Ditën Botërore të Mbulimit Shëndetësor Universal.

Më shumë se 6 mijë vizita mjekësore dhe rreth 1500 vaksinime kundër gripit janë kryer nga ekipet mjekësore pranë banorëve të sistemuar në hotele apo në pikat e emergjencës, të mbetur të pastrehë si pasojë e tërmetit, ku po vijon shërbimi shëndetësor 24/7.