“Ka një mesazh për ty” u çel sot me një histori dashurie si ato të përrallave. Fatbardha, nënë e një vajze, njihej me Ermirin, bashkëshortin e saj aktual qëkur ishin të vegjël. Jeta e Fatbardhës, mori një tjetër rrjedhë, ajo u martua në moshë fare të re dhe kreu detyrën e saj si grua e devotshme për shumë vite. Nga ana tjetër Ermiri nuk reshti kurrë së menduari për të dhe në momentin që atij iu dha mundësia, bëri gjithçka për të fituar dashurinë e jetës së tij.

Fatbardha: Unë dhe Ermiri njihemi qysh kur ishim të vegjël, qysh fëmijë. Pastaj jeta ime mori një rrjedhë tjetër, isha 15 vjeç dhe më fejuan me mblesëri. Në moshën 17 vjeç jam martuar dhe kam ikur direkt në Itali. Në Itali kam jetuar 12 vjet, tani jam kthyer jetoj në Tiranë. Nga kjo martesë kam edhe një vajzë 8 vjeçe. Pas disa vitesh erdhi edhe divorci nga martesa e parë.

Ndërsa Ermiri gjatë kësaj kohe që unë kam qenë e martuar, nuk është as fejuar, as martuar.

Ardit Gjebrea: Ka menduar për ty.

Fatbardha: Ai thotë që po…

Ardit Gjebrea: Po ti ke menduar për të gjatë martesës tënde?

Fatbardha: Jo. Unë jam njeri që përkushtohem. E mblodha mendjen që kjo është familja ime. Por pas divorcit Ermiri ka qenë mbështetja ime më e madhe. Nuk është e lehtë të divorcohesh duke pasur parasysh paragjykimet, por mes nesh kishte shumë grindje. Nuk mund të vazhdoja në atë situatë. E bëra për hir të vajzës nuk doja të më shihet në atë situatë. Ajo ishte katër vjeçe u rrit, po kuptonte. Nga momenti që jam ndarë vjen në jetën time Ermiri…Ai në fakt kishte dëgjuar që unë po ndahesha dhe më kontaktoi direkt në Facebook sepse ishte mënyra më e lehtë për të më gjetur. Më ka bërë për vete thjesht me përkujdesjen. Isha shumë keq, ishte një periudhë që unë isha vetëm, familjen e kisha kundër. Ata nuk e pranonin vendimin tim. Në atë kohë të vështirë për mua ishte Ermiri që më pyeste çdo ditë si jam, ishte ai që gjendej aty nëse kisha nevojë për diçka. As në punë nuk shkoja, sepse s’isha mirë.  Ai më pyeste edhe nëse kisha nevojë nga ana ekonomike.

Ardit Gjebrea: Kur u takuat ju për herë të parë?

Fatbardha: Unë jam ndarë në Dhjetor të vitit 2013 dhe jemi takuar në Shkurt të vitit 2014. Shkova unë në Genova ku ai jetonte sepse ai s’mund të lëvizte për shkak të punës. Në momentin e parë që jemi takuar ai u dridhte komplet, i tëri. Aty e kuptova që ai vërtet më donte shumë shumë shumë. Unë u ktheva në Bari, por vazhduam të jemi tamam të lidhur. Arsyeja pse e kam thirrur Ermirin këtu është se gjatë kësaj kohe që unë kam vuajtur, sidomos dy vitet e para, në të cilat unë kam luftuar për të marrë divorcin dhe kujdestarinë e vajzës, Ermiri ka qenë i vetmi që më është gjendur pranë. Pasi u pajtuam, edhe familja ime, normalisht. Ai më ka ndihmuar nga ana morale po ashtu edhe nga ana ekonomike. Ai ka bërë shumë sakrifica për mua. Jemi kthyer të dy për të jetuar në Shqipëri sepse kështu ishte më e lehtë për të ndjekur proceset gjyqësore.

Ermiri nuk është trembur për shkak të paragjykimeve, edhe pse ai ishte beqar dhe Fatbardha një grua e divorcuar dhe nënë e një vajze. Përkundrazi ai vendosi ta mbështesë Fatbardhën dhe të luftojë për dashurinë e saj. Fatbardha jep për publikun edhe lajmin e bukur se ata janë në pritje të një vajze. Ajo është në muajin e shtatë të shtatzënisë. 

Mesazhi në studio: Doja të të falënderoja ty, për çdo gjë që ke bërë për mua. Duke filluar nga momenti që jemi lidhur dhe deri më sot. Këto katër vite kanë qenë vitet më të lumtura për mua dhe çdo gjë falë teje. Sepse ti mundohesh të bësh çdo gjë që unë të mos mërzitem kurrë. Ndaj ky falënderim të takon vetëm ty, për lidhjen tonë.

Fatbardha nuk i shpreh vetëm mirënjohjen, por edhe i kërkon me humor, t’i premtojë asaj që nuk do të jetë shumë i fiksuar pas futbollit. 

Ardit Gjebrea: Ermir, meqë sot ke ditëlindjen, kërkoji edhe ti ndonjë gjë nuses tënde?

Ermir: Me thënë të drejtën s’dua t’i kërkoj asgjë, jam në rregull, asaj nuk i mungon asgjë. E falënderoj shumë. I them që e dua shumë, e dua pafund shumë.

Surpriza që Fatbardha i bëri bashkëshortit të saj te “Ka një mesazh për ty”, koincidoi me ditëlindjen e Ermirit kështu që në program u krijua një atmosferë e vërtetë feste./klan