Maturantët kanë nisur sot, për të dytën ditë, protestën para Ministrisë së Arsimit për rivlerësimin e provimit shtetëror të Gjuhë Letërsisë, testi i të cilit sipas tyre nuk kishte lidhje me programin mësimor dhe modelet e dhëna.

Protesta vazhdon, ndërkohë që Ministria dje deklaroi se teza e privimit kishte qene e hartuar siç duhej.

Maturantët kërkojnë që protestës së sotme t’i bashkohen studentë, mësues dhe prindër.

Nxënësit që kanë dalë në protestë shprehen se gjatë ditës së djeshme kanë marrë kërcënime nëpërmjet telefonit ku iu është kërkuar bojkotimi i protestës.

“Ministrja nuk e ka përmendur në deklaratën e saj dje, por në mediat sociale janë publikuar shumë presione nga ana e Bashkisë. Gjithçka është bërë nga Ministria për të na shtypur neve. Presioni drejtpërdrejt ishte ai i djeshmi ku na janë mbajtur emrat dhe jemi kërcënuar disa herë që ne jemi militantë partie kur ne e kemi deklaruar vazhdimisht që ne nuk përfaqësojmë parti, por kemi ardhur për të drejtat tona”, deklaron një prej maturantëve.