Ideja e ministrit të turizmit dhe mjedisit Blendi Klosi e mbështetur nga hotel “Aragosta” me pronar Eduard Xhepa, janë finalizuar me një ndihmë të rëndësishme për familjen e Mustafa Hoxhës në fshatin Shkallë të njësisë administrative Manzë.

Ministri Klosi me mbështetjen e biznesmenit Xhepa, shpallën ditën e Shën Valentinit si “Dashuri për të prekurit nga tërmeti”. Kjo nismë kishte për qëllim organizimin e një mbrëmjeje bamirësie në hotel “Aragosta”, ku të gjitha të ardhurat e kësaj mbrëmjeje kanë shkuar në ndihmë të një familjeje në nevojë.

Ka qenë vetë biznesmeni Xhepa i shoqëruar nga drejtori i Arsim Kulturës në Bashkinë e Durrësit, Adrian Gurra dhe kreu i njësisë administrative Manëz, Muharrem Sula, që i kanë dhuruar familjes së Mustafa Hoxhës të gjitha të ardhurat financiare në një sasi të konsiderueshme të mbledhura nga kjo mbrëmje bamirësie si dhe ndihma të tjera në ushqime dhe veshmbathje.

Familja e Mustafa Hoxhës është në një gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe përbëhet nga Mustafai me bashkëshorten e tij, që të dy pensionistë dhe bashkëshortja e djalit të tij me 3 fëmijë jetimë pasi fatkeqësisht djali i Mustafait ka ndërruar jetë.

Kjo familje u prek edhe nga tërmeti dhe gjendja e saj u bë shumë e vështirë. Por kjo ndihmë e ardhur nga një mbrëmje bamirësie, me shumë dashuri nga njerëzit që iu përgjigjën nismës, ka sjellë buzëqeshje dhe lehtësim edhe për këtë familje në vështirësi.